Shtatë të vdekur në një sulm në sinagogë në vendbanimin kolon hebre në Kuds

Shtatë persona kanë humbur jetën në një sulm të armatosur në një sinagogë në vendbanimin kolon hebre Neve Yakov në Kudsin Lindor të pushtuar, tha policia izraelite, transmeton Anadolu Agency (AA).

Në një deklaratë me shkrim nga policia izraelite, thuhet se sulmuesi erdhi në sinagogë në vendbanimin ilegal hebre dhe hapi zjarr.

Ndërkaq, tre persona kanë mbetur të plagosur.

Në deklaratë theksohet gjithashtu se policia ka ndjekur sulmuesin i cili është larguar nga vendi i ngjarjes me makinë dhe e ka neutralizuar pas një konflikti të armatosur.

Ministri Ben-Gvir në vendngjarje

Nga ana tjetër, u raportua se ministri i Sigurisë Kombëtare Izraelite, Itamar Ben-Gvir, ka dalë në vendngjarje dhe ka vlerësuar situatën në terren me shefin e policisë izraelite Kobi Shabtai.

Tensionet janë përshkallëzuar kohët e fundit në Bregun Perëndimor të pushtuar, ndërsa ka pasur rritje në numrin e viktimave palestineze të vrarë nga forcat izraelite.

Nëntë palestinezë, duke përfshirë një grua 60-vjeçare, u vranë në bastisjen e kryer nga ushtria izraelite në kampin e refugjatëve Jenin në veri të Bregut Perëndimor të pushtuar dje në mëngjes. Në incidentet që shpërthyen në rajon pas bastisjes, një i ri palestinez 22-vjeçar vdiq në zonën Er-Ram të Kudsit Lindor të pushtuar.

Si pasojë e zjarrit të hapur nga ushtarët izraelitë, 30 palestinezë, përfshirë gra dhe fëmijë, kanë humbur jetën nga fillimi i vitit në Kudsin Lindor dhe Bregun Perëndimor të pushtuar.

Izraeli pushtoi Kudsin Lindor dhe Bregun Perëndimor në Luftën Arabo-Izraelite të vitit 1967. Izraeli aneksoi gjithë qytetin në vitin 1980, hap ky që nuk u njoh kurrë nga komuniteti ndërkombëtar. Sipas ligjit ndërkombëtar, të gjitha vendbanimet izraelite në territoret e pushtuara palestineze konsiderohen ilegale.

30 palestinezët e vrarë nga forcat pushtuese izraelite vetëm në muajin janar 2023