Varësi nga SHBA-ja, kriza energjetike, dobësimi ekonomik dhe përçarje politike
Evropa, e cila për shekuj me radhë përcaktoi standardet politike, ekonomike dhe shkencore të botës, po e humbet gradualisht rolin e saj si fuqi globale.
Dobësimi ekonomik, pasiguria për mbrojtjen, krizat energjetike, mungesa e lidershipit dhe përçarjet mes vendeve anëtare të Bashkimit Evropian po e kufizojnë aftësinë e kontinentit për të ndikuar në zhvillimet ndërkombëtare.
Deri në shekullin XX, Evropa ishte qendra e sistemit ndërkombëtar. Sot, ndërsa fuqitë e tjera po shtojnë peshën e tyre ekonomike dhe strategjike, kontinenti po përballet me vështirësi për të ruajtur konkurrueshmërinë dhe për të përcaktuar një drejtim të përbashkët.
Gjithnjë e më e pasigurt
Një nga dobësitë kryesore të Evropës është varësia nga SHBA-ja për mbrojtjen. Që nga Lufta e Dytë Botërore, Uashingtoni ka garantuar sigurinë e kontinentit, përfshirë mbrojtjen bërthamore.
Por rikthimi i Donald Trump në Shtëpinë e Bardhë ka shtuar pasigurinë për vazhdimësinë e angazhimit amerikan.
Ndërkohë, lufta e Rusisë kundër Ukrainës e ka rikthyer kërcënimin ushtarak në kufijtë e Evropës. Mungesat në municione, kapacitetet e kufizuara ushtarake dhe varësia nga strukturat amerikane të komandimit, kanë nxjerrë në pah dobësitë e mbrojtjes evropiane.
Bashkimi Evropian po rrit shpenzimet ushtarake dhe po përpiqet të forcojë industrinë e vet të mbrojtjes. Megjithatë, këto investime kërkojnë burime të konsiderueshme financiare, të cilat mund të kufizojnë fondet për zhvillimin ekonomik dhe shërbimet publike.
Konkurrenca kineze dhe dobësimi industrial
Për dekada, tregtia me Kinën ka qenë një faktor i rëndësishëm për industrinë evropiane. Sot, marrëdhëniet ekonomike po karakterizohen gjithnjë e më shumë nga konkurrenca dhe çekuilibrat tregtarë.
Sipas të dhënave të Komisionit Evropian, deficiti tregtar i BE-së me Kinën u rrit nga 304.5 miliardë dollarë në vitin 2024, në 359.8 miliardë dollarë në vitin 2025.
Ndërsa importet evropiane përbëhen kryesisht nga produkte të përpunuara kineze, eksportet e BE-së drejt Kinës po shënojnë rënie.
Mallrat kineze me çmime konkurruese po ushtrojnë presion mbi prodhuesit evropianë dhe po shtojnë shqetësimet për deindustrializimin.
Për këtë arsye, Brukseli po shqyrton masa tregtare për të mbrojtur industrinë dhe për të kufizuar varësinë nga ekonomia kineze.
Energjia e shtrenjtë dhe kostoja sociale
Lufta në Ukrainë ka reduktuar ndjeshëm furnizimet evropiane me gaz rus, duke i detyruar vendet e kontinentit të kërkojnë burime alternative më të kushtueshme.
Ndërkohë, konflikti me Iranin dhe ndërprerjet e transportit të energjisë përmes Ngushticës së Hormuzit, kanë shtuar pasigurinë në tregjet ndërkombëtare.
SHBA-ja është shndërruar në një furnizues kryesor alternativ për Evropën, por importet me çmime të larta po rëndojnë mbi ekonomitë evropiane.
Rritja e kostove të energjisë ushqen inflacionin, dobëson konkurrueshmërinë e industrisë dhe rrit koston e jetesës.
Pakënaqësia sociale po shfaqet në protesta kundër çmimeve të larta, shërbimeve publike të pamjaftueshme dhe politikave ekonomike të qeverive.
Kriza e besimit dhe mungesa e lidershipit
Evropa e ka mbështetur ndikimin e saj ndërkombëtar te demokracia, të drejtat e njeriut dhe shteti i së drejtës. Por qëndrimet e qeverive evropiane ndaj luftës në Gaza kanë dëmtuar këtë imazh.
Mbështetja për Izraelin, pavarësisht pasojave shkatërrimtare të luftës për popullsinë palestineze, ka nxitur protesta masive dhe akuza për standarde të dyfishta në trajtimin e krizave ndërkombëtare.
Dallimi mes reagimit evropian ndaj Ukrainës dhe atij ndaj Palestinës, ka vënë në pikëpyetje besueshmërinë e politikës së jashtme të kontinentit.
Njëkohësisht, udhëheqësit e vendeve kryesore evropiane po përballen me mbështetje të ulët publike.
Mungesa e një vizioni të përbashkët, dobësimi i bashkëpunimit franko-gjerman dhe përqendrimi te menaxhimi i krizave të menjëhershme po e vështirësojnë hartimin e politikave afatgjata.
Përçarjet pengojnë një strategji të përbashkët
Evropa është e ndarë për çështje të rëndësishme ekonomike dhe politike. Vendet e Evropës Lindore e shohin Rusinë si kërcënim të drejtpërdrejtë, ndërsa disa shtete të Evropës Perëndimore mbajnë qëndrime më të kujdesshme.
Edhe marrëdhëniet me SHBA-në, i ndajnë qeveritë mes atyre që kërkojnë ruajtjen e aleancës tradicionale dhe atyre që mbështesin autonomi më të madhe strategjike.
Përçarje të ngjashme ekzistojnë edhe për politikën ndaj Izraelit dhe Palestinës. Spanja, Irlanda, Belgjika dhe Suedia kanë mbështetur masa më kritike ndaj qeverisë izraelite, ndërsa Gjermania dhe disa vende të tjera kanë kundërshtuar hapa të tillë.
Këtyre dallimeve u shtohen pabarazitë ekonomike, polarizimi politik dhe hendeku në rritje mes shtresave të pasura dhe atyre në vështirësi.
Për të rifituar peshën globale, Evropa duhet të forcojë kapacitetet e veta të mbrojtjes, të përmirësojë konkurrueshmërinë industriale, të garantojë sigurinë energjetike dhe të kapërcejë përçarjet politike.
Pa një strategji të përbashkët dhe pa rikthimin e besimit të qytetarëve, kontinenti rrezikon të mbetet gjithnjë e më shumë në rolin e spektatorit në një rend botëror që po ndryshon me shpejtësi. /tesheshi.com/







