Përmbledhje mbi Korenë
Korea e Jugut ndodhet në pjesën jugore të gadishullit Korean. Në perëndim kufizohet me Detin e Verdhë (Detin e Kinës), në lindje me Detin e Lindjes (Detin e Japonisë), në jug me Ngushticën e Koresë, ndërsa në veri kufizohet me Korenë e Veriut. Ajo ndodhet në brezin e klimës mesatare veriore dhe është kryesisht malore, me një sipërfaqe prej rreth 100,210 km².
Në vitin 2020, popullsia e Koresë së Jugut arriti në rreth 52 milionë banorë, nga të cilët 49.4% jetojnë në kryeqytetin Seul dhe në zonat përreth, ç’ka e bën Korenë një vend me dendësi të lartë urbane.
Koreanët i përkasin racës së verdhë dhe janë pasardhës të fisve altajikë-mongolë. Në letërsinë kineze të lashtë quheshin “Dong-i” dhe njiheshin për mirësinë dhe respektin ndaj vlerave njerëzore.
Rreth 73% e territorit të Koresë së Jugut është malor, ndërsa pjesa tjetër përbëhet nga fusha të vogla bujqësore.
Si arriti Islami në Kore
Burime arabe të vjetra tregojnë se myslimanët arritën në rajonet më lindore të Kinës dhe u vendosën aty. Ato rajone njiheshin me emrat Shila, Sila dhe Ashbila. Gjeografi Ebu el-Fida në veprën e tij Takvim el-Buldan thotë:
“Ajo ndodhet në skajin lindor të Kinës, dhe rrallë shkohet atje përmes detit; është një prej ishujve të Detit të Lindjes.”
Këto përshkrime përputhen me Korenë e sotme, e cila ndodhet në verilindje të Kinës.
Këto mbretëri të lashta përmendeshin në veprat klasike islame si vende të pasura me ar. Në librin El-Mesalik ve’l-Memalik thuhet:
“Aty ka shumë ar. Ndërsa në El-Muntezam lexojmë: “Myslimanët që shkuan atje u vendosën për shkak të mirëqenies së vendit.” Këto janë ndër burimet e para arabe që flasin për ishujt koreanë dhe për vendosjen e myslimanëve atje.
Studiuesi korean Dr. Jong Su Il thekson:
“Myslimanët arabë i paraprinë perëndimorëve me 700–800 vjet në tregtinë me Shila-n (Korenë), që nga mesi i shekullit IX. Ata udhëtuan shumë herë atje, duke e përmendur këtë vend për herë të parë në hartat e tyre. Gjeografi i madh Muhamed el-Idrisi e përmendi ‘Sila’-n në hartën e tij të vitit 1154, e cila është 441 vjet më e hershme se harta e Merkatorit, ku për herë të parë shfaqet emri Corea.”
Nën mbretërinë Goryeo, në vitet 1024, 1025 dhe 1040, në oborrin mbretëror u regjistrua ardhja e disa myslimanëve ujgurë nga nëpunësit mongolë të Kinës. Pas ngritjes së Xhingis Khanit (1165–1227) dhe zgjerimit të perandorisë mongole, shumë myslimanë u përfshinë në administratën kineze dhe u dërguan në gadishullin Korean për çështje politike.
Që nga shekulli XIII, burimet historike koreane fillojnë të flasin më gjerësisht për praninë e myslimanëve. Ndër figurat më të njohura ishte Jang Sun Ryong, që mbërriti në Kore në vitin 1254 bashkë me princeshën Jae Guk Dae Jang. Ai njihet si “babai i myslimanëve koreanë”, pasi nga pasardhësit e tij dolën dijetarë të shumtë në periudhat Goryeo dhe Joseon.
Myslimanët vazhduan të kenë pozita të privilegjuara edhe gjatë mbretërisë Joseon (pas shek. XIV). Mirëpo, pas rënies së dinastisë kineze Yuan dhe ngritjes së dinastisë Ming, këto privilegje u ndërprenë, dhe kontakti midis myslimanëve dhe koreanëve u shkëput për disa shekuj — deri në epokën moderne.
Epoka e thirrjes islame në Kore:
Pas rënies së mbretërisë “Joseon” si pasojë e pushtimit japonez të Koresë (1910–1945), të paktën një milion koreanë emigruan drejt Mançurisë në kërkim të strehës politike dhe shpresës për sukses ekonomik. Aty ata u lidhën me grupet myslimane të mongolëve dhe “hui”-ve, dhe një numër i madh prej tyre pranoi Islamin.
Mendohet se përhapja e vërtetë e Islamit në Kore ndodhi gjatë luftës koreane, pas pavarësimit nga Japonia (rreth vitit 1950 / 1370 hixhri), kur në Korenë e Jugut mbërritën trupa turke si pjesë e forcave të Kombeve të Bashkuara. Ato ngritën një xhami për kryerjen e adhurimeve në vitin 1956 (1376 hixhri), dhe kjo shënoi fillimin e pranisë islame të qëndrueshme.
Këta myslimanë turq u përkushtuan me zell në thirrjen e koreanëve në Islam, dhe shumë koreanë iu përgjigjën kësaj thirrjeje. Rreth 4.000 koreanë pranuan Islamin, dhe numri i myslimanëve vazhdoi të shtohej në mesin e popullsisë që kishte kontakte me ta.
Ndër pionierët e parë të thirrjes islame pas luftës koreane ishte Abdul Gafur Kër Ismail Oglu, imami i trupës turke. Me ndihmën e Allahut dhe përmes udhëzimit të këtij imami, u formua brezi i parë i myslimanëve koreanë. Fillimisht, Republika e Turqisë nuk lejonte aktivitet fetar për shkak të politikës së saj laike, por me këmbënguljen e imamit, në vitin 1955 (1374 h.) iu lejua për herë të parë që ai të thërriste në Islam. Ai filloi të lidhej me koreanët dhe të mbante ligjërata për Islamin dhe mesazhin e tij.
Në vitin 1963 (1383 h.) u themelua Unioni Islamik Korean, dhe Malajzia dërgoi përfaqësuesin e saj, “Haxhi Nuhun”, për të parë gjendjen e myslimanëve në Kore.
Në vitin 1966 (1386 h.) Unioni u riorganizua dhe në krye të tij u zgjodh Sabri Soi Xhung Kil, ndërsa sekretar u emërua Abdulaziz Kim. Po atë vit u ndërtua një xhami e përkohshme në Seul për komunitetin mysliman.
Përforcimi i përpjekjeve thirrëse nga vendet islame
Në vitet gjashtëdhjetë, ndryshuan rrethanat botërore dhe mentaliteti i shoqërisë koreane. Shtetet islame fqinje filluan të interesoheshin më shumë për komunitetin e ri mysliman në Korenë e Jugut, dhe qeveria koreane filloi t’i ndihmonte myslimanët, duke e kuptuar rëndësinë e marrëdhënieve me botën islame.
Në krye të këtyre vendeve ishte Malajzia, e cila u dha myslimanëve koreanë të rinj mundësi për të studiuar Islamin në universitetet e saj, me qëllim që të formohej një brez thirrësish vendas. Po ashtu, Malajzia kontribuoi ndjeshëm në ndërtimin e xhamive në Kore.
Një tjetër vend që ndihmoi fuqishëm ishte Pakistani, përmes Said Muhammed Xhamil, kryetar i Shoqatës së Kuranit në Pakistan. Pas vizitës së tij të parë në Korenë e Jugut në janar të vitit 1966 (1385 h.), ai e vizitoi vendin disa herë, mbajti ligjërata islame dhe ndihmoi shumë studentë koreanë të studiojnë në universitetet islame të Pakistanit, për herë të parë në historinë e Islamit në Kore. Allahu udhëzoi nëpërmjet tij nëntëdhjetë persona koreanë, ndër ta një gjyqtar, dy mjekë, tre mësues të shkollës së mesme, tre inspektorë dhe pesë punonjës qeveritarë.
Myslimanët në Korenë e Jugut
Numri i myslimanëve në Korenë e Jugut është rreth 40.000 persona nga një popullsi totale prej 52 milionë banorësh. Megjithëse ky numër është disi i konsiderueshëm, ndërveprimi i myslimanëve koreanë me Islamin dhe çështjet fetare është tepër i dobët, pasi nuk ekziston një program thirrjeje i përgjithshëm brenda vendit që të forcojë besimin e tyre. Shumë koreanë nuk e shpallin hapur identitetin e tyre islam, nga frika për shkak të propagandës së gabuar që përhapin mediat kundër Islamit dhe myslimanëve.
Qeveria koreane nuk ushtron asnjë presion ndaj myslimanëve; përkundrazi, gjatë krizës së naftës, ajo ka ndihmuar myslimanët në mënyrë të drejtpërdrejtë dhe të tërthortë. Republika e Koresë gëzon një shkallë të gjerë lirie fetare, dhe në këtë kuadër myslimanët kanë arritur të ndërtojnë xhami dhe qendra islame; aktualisht ekzistojnë nëntë xhami në Korenë e Jugut.
Numri i faltore në Korenë e Jugut arrin në rreth 60, ndër më të njohurat janë: Faltorja e Kim Busë, faltorja e Çang Uonit, faltorja e Ko Misë dhe faltorja e Kim Hait. Të gjitha xhamitë dhe faltoret drejtohen nga Bashkimi i Myslimanëve Koreanë, me përjashtim të Qendrës Islame të Inçonit (e themeluar në vitin 2014 / 1435 h).
Fatkeqësisht, nuk ka mësim fetar në shkollat shtetërore, dhe ekzistojnë vetëm dy shkolla islame të vogla, pasi ngritja e shkollave private në Korenë e Jugut është jashtëzakonisht e vështirë dhe përballet me kufizime të shumta.
Shumica e xhamive dhe qendrave islame zhvillon veprimtari thirrjeje për përhapjen e Islamit midis koreanëve dhe për forcimin e lidhjes së myslimanëve të rinj me ritet islame. Dobësi të mëdha vërehen në veprimtarinë thirrëse islame në Korenë e Jugut në të gjitha format e saj. Pengesat më të mëdha janë mungesa e dijetarëve dhe thirrësve vendas si dhe përhapja e islamofobisë në shoqërinë koreane. E ardhmja e thirrjes islame në Korenë e Jugut kërkon bashkimin e përpjekjeve të botës islame për të punuar me seriozitet brenda vendit, veçanërisht duke pasur parasysh se shteti garanton lirinë e besimit dhe nuk e pengon praktikimin e fesë islame.
Numri i myslimanëve në Korenë e Jugut:
Vlerësohet se në vitin 2020 numri i myslimanëve ishte rreth 40.000 nga një popullsi prej 52 milionë banorësh. Para vitit 2005, gjatë krizës së naftës, numri i myslimanëve koreanë ishte 35.000. Pas vitit 2016, 5.684 koreanë pranuan Islamin kryesisht për shkak të martesave me myslimanë ose myslimane.
Duke llogaritur edhe koreanët myslimanë që punojnë në vendet arabe e islame, numri i përgjithshëm i myslimanëve koreanë arrin rreth 40.684 (sipas të dhënave të vitit 2016 / 1438 h).
Megjithatë, përkundër këtij numri, ndikimi i Islamit në jetën e tyre mbetet i kufizuar, për shkak të mungesës së institucioneve fetare dhe ndikimit të fortë të sekularizmit dhe modernizmit në shoqërinë koreane.
Liria e fesë dhe sfidat:
Në ndryshim nga pakicat myslimane në disa vende të tjera, myslimanët e Koresë gëzojnë liri të plotë fetare të garantuar me kushtetutë: “Të gjithë qytetarët kanë liri feje.”
Gjatë krizës së naftës, qeveria koreane u ka ofruar ndihmë myslimanëve, madje disa prej tyre kanë mbajtur poste të larta në shoqërinë koreane. Por përpjekjet për thirrje islame janë shumë të dobëta, pasi shumica e myslimanëve hezitojnë të shpallin fenë e tyre për shkak të frikës nga paragjykimet shoqërore.
Xhamitë dhe qendrat islame:
Në Korenë e Jugut ekzistojnë nëntë xhami kryesore (sipas të dhënave deri më 2005 / 1426 h):
Xhamia Qendrore e Seulit (1976)
Xhamia e Pusanit (1980)
Xhamia e Kvangxhu-së (1981)
Xhamia e Xhonxhu-së (1986)
Xhamia e Anbalgut (1986)
Xhamia e Anmanit (2001)
Xhamia e Beorçonit (2003)
Xhamia e Bobjongut (2004)
Xhamia e Paju-së (2005)
Pas vitit 2005 nuk është ndërtuar asnjë xhami e re. Numri i faltoreve është rreth 60, ndërsa shumica e besimtarëve janë myslimanë të huaj, jo koreanë.
Arsimi islam:
Fatkeqësisht, nuk ekzistojnë shkolla islame të plota në Korenë e Jugut, përveç disa institucioneve të vogla jozyrtare:
Shkolla “Ali ibn Ebi Talib” në Pusan e themeluar në vitin 1986, funksionoi vetëm për dy vjet, dhe ishte shkolla e parë dhe e fundit e mesme islame në historinë e Koresë së Jugut.
Shkolla “Princi Sultan ibn Abdulaziz” në Seul e hapur në vitin 2001 me mbështetje saudite; mësohen Kurani, arabishtja, anglishtja dhe mësime bazë islame, por qeveria nuk e njeh zyrtarisht.
Shkolla turke për memorizimin e Kuranit në Seul jep mësime në lexim, recitim, memorizim të Kuranit, jurisprudencë të shkurtuar dhe jetë të Profetit (a.s.), por ka vështirësi për shkak të mungesës së nxënësve të qëndrueshëm.
Aktivitetet thirrëse:
Shumica e xhamive dhe qendrave islame në Korenë e Jugut zhvillojnë aktivitete thirrëse me synimin e përhapjes së Islamit ndër koreanët dhe forcimin e lidhjes së myslimanëve të rinj me ritet islame. Këto xhami bashkëpunojnë me institucione islame në Korenë e Jugut, si “Bashkimi i Myslimanëve Koreanë” dhe “Forumi Botëror i Rinisë Islame” në Rijad. Ato organizojnë kampe verore thirrëse për të rinj koreanë dhe jo-koreanë, për t’i njohur ata me Islamin në mënyrë natyrale si pjesë e programeve rinore, dhe çdo vit disa të rinj koreanë pranojnë Islamin pasi e njohin vërtetësinë e tij.
Përveç kësaj, kontribuojnë në shtypjen e librave islamë që korrigjojnë imazhin e shtrembëruar mbi Islamin dhe shpjegojnë shtyllat e tij dhe etikën islame në mënyrë të thjeshtë për publikun e ri korean. Marrin pjesë gjithashtu në disa panaire shoqërore në Korenë e Jugut, si dhe organizojnë ekspozita të veçanta me temë thirrëse, mbajnë ligjërata dhe konferenca islame.
Një pjesë e rëndësishme e punës së tyre është luftimi i fenomenit të islamofobisë në Korenë e Jugut, përmes ofrimit të shërbimeve ndaj të huajve dhe koreanëve, kujdesit për ta – veçanërisht për punëtorët dhe punonjësit —, publikimit të videove shpjeguese mbi Islamin dhe shpërndarjes së tyre, si dhe organizimit të takimeve vëllazërore midis myslimanëve koreanë dhe fqinjëve apo kolegëve të tyre.
E ardhmja e Islamit në Korenë e Jugut:
Dobësia në të gjitha aktivitetet thirrëse në Korenë e Jugut është e dukshme në të gjitha format e saj. Pengesat më të mëdha të thirrjes islame janë mungesa e dijetarëve dhe thirrësve koreanë, si dhe përhapja e fenomenit të islamofobisë në shoqërinë koreane. Një tjetër sfidë është shtimi i numrit të myslimanëve të huaj që jetojnë në Korenë e Jugut, fëmijët e të cilëve nuk kanë mundësi të mësojnë bazat e fesë islame.
Prandaj, e ardhmja e thirrjes islame në Korenë e Jugut kërkon bashkërendimin e përpjekjeve të organizatave islame për të punuar me përkushtim brenda vendit, veçanërisht duke qenë se shteti garanton lirinë e besimit dhe nuk u vë pengesa myslimanëve në kryerjen e adhurimeve të tyre.
Ekziston një nevojë urgjente për themelimin e një shkolle dhe universiteti islam në Korenë e Jugut përmes përpjekjeve diplomatike, si dhe për përmirësimin e përkthimeve të Kuranit në gjuhën koreane, pasi tri përkthimet e plota ekzistuese përmbajnë gabime. Po ashtu, nevojitet përgatitja e materialeve vizuale të paguara në mediat koreane për të luftuar fenomenin e islamofobisë dhe për të arritur një audiencë sa më të gjerë.
Islamofobia… një derë e re për thirrjen
Gjeneratat e reja të koreanëve janë interesuar për fenë islame dhe për atë që kjo fe përfaqëson. Ato kanë filluar të lexojnë dhe të njihen me Islamin, për të zbuluar nëse janë të vërteta ato çfarë përhapen në mediat botërore nga pretendime negative që lidhen me Islamin. Më herët, mediat koreane nuk i kushtonin vëmendje fesë islame dhe e shihnin Islamin thjesht si fe të vendeve arabe, në të cilat kishin shkuar shumë punëtorë koreanë për të siguruar punë. Mirëpo kjo situatë ndryshoi më pas, dhe mediat koreane filluan të publikojnë gjithnjë e më shumë materiale që lidhen me çështjet e Islamit, gjë që çoi në zgjerimin e kërkimit për të vërtetën te masa e gjerë e koreanëve, të cilët më parë kishin qenë në errësirë të plotë për sa i përket çdo materiali informues apo pamor rreth Islamit.
Burimi: Dawa.center
Përktheu: Elton Harxhi








