Ballina Uncategorized Si u themeluan katër shkollat juridike?

Si u themeluan katër shkollat juridike?

Katër medhhebet juridike islame u formuan në gjirin e fikhut të sahabëve dhe të shkencave të tyre; rrënjët e tyre shtrihen në metodologjinë e sahabëve në të kuptuarit e fesë, në njohjen e dispozitave sheriatike, si dhe në ixhtihadin për interpretimin e teksteve, nxjerrjen e dispozitave prej tyre dhe zbatimin praktik. Sahabët – Allahu qoftë i kënaqur me ta – “i krahasonin ngjarjet me të ngjashmet e tyre, i shëmbëllenin me shembujt përkatës, i kthenin disa çështje te disa të tjera në gjykimet e tyre, ua hapën dijetarëve derën e ixhtihadit, ua shtruan rrugën dhe ua sqaruan metodën e tij”.

Më pas, dijetarët e brezit të tabiinëve e ndoqën këtë metodologji; dhe prej tyre dolën imamët e katër medhhebeve juridike që ndiqen sot, mendimet e të cilëve janë të kodifikuara në libra dhe të përhapura në të gjitha anët e botës. Ata ishin nxënës të shkollave të sahabëve, u ushqyen nga dijet e tyre dhe u formuan në institucionet e tyre. Ibn Kajjimi e përshkruan këtë lidhje duke thënë: “Pjesa dërrmuese e fesë, e fikhut dhe e dijes u përhap në umet përmes nxënësve të Ibn Mesudit, nxënësve të Zejd ibn Thabitit, nxënësve të Abdullah ibn Omerit dhe nxënësve të Abdullah ibn Abasit. Dija e njerëzve, në përgjithësi, u transmetua nga nxënësit e këtyre katërve: banorët e Medinës e morën dijen nga nxënësit e Zejd ibn Thabitit dhe Abdullah ibn Omerit; banorët e Mekës nga nxënësit e Abdullah ibn Abasit; ndërsa banorët e Irakut nga nxënësit e Abdullah ibn Mesudit.”

Fikhu në epokën e tabiinëve përfitoi një pjesë të madhe nga dijet e sahabëve – Allahu qoftë i kënaqur me ta – përmes udhëtimeve të tyre dhe vendosjes në qytetet e reja islame të asaj kohe. Sahabiu bartte me vete dijen dhe fikhun që kishte trashëguar nga Pejgamberi (a.s)

Gjatë hilafetit të Othmanit, sahabët u shpërndanë në qytetet islame, pasi halifi ia lejoi këtë. Disa mbetën në qytetet e Hixhazit, veçanërisht në Medinën e Ndritshme, vendin e hixhretit të Pejgamberit (a.s); të tjerë shkuan në Kufe dhe në qytete të tjera të Irakut. Pas kësaj, shkollat e formimit të fikhut në këto qendra u ndanë sipas metodës së dijes dhe rrugës së përvetësimit: Shkolla e Ehli Hadithit (Hixhazi) dhe Shkolla e Ehli Re’jit (Iraku).

Iraku pati një rol shumë të madh në formimin e fikhut gjatë periudhës së tabiinëve, sepse numri i sahabëve që hynë në Kufe dhe në qytetet e Irakut i kalonte treqind sahabë. Madje thuhet se nga të gjitha qytetet ku u vendosën sahabët, asnjë nuk i afrohej Medinës në fikh dhe në shkencat e Sunetit sa Iraku, për shkak të numrit të madh të sahabëve që shkuan dhe u vendosën atje.

Disa sahabë hynë në Irak si vizitorë ose si banorë të përhershëm që në kohën kur hilafeti u transferua në Irak, në epokën e Ali ibn Ebi Talibit. Para kësaj, në Irak kishin jetuar Ibn Mesudi, Sa‘d ibn Ebi Uekasi, Ammar ibn Jasiri, Ebu Musa el-Esh‘ariu, el-Mughira ibn Shu‘be, Enes ibn Malik, Hudhejfe, Imran ibn Husajni dhe shumë sahabë të tjerë që ishin nga krahu i Aliut dhe me të, si Ibn Abbasi. Për këtë arsye, në udhëheqjen e fikhut, banorët e Hixhazit nuk u konkurruan nga askush tjetër përveç dijetarëve të Irakut, e jo nga Sham-i, as nga Egjipti, as nga Afrika apo vende të tjera.

Banorët e Hixhazit, të njohur si Shkolla Medinase ose Shkolla e Ehli Sunetit dhe Etherit, me në krye Se‘id ibn el-Musejjibin, u degëzuan më vonë në Maliki, Shafi‘i, Hanbeli e të tjerë. Ata këmbëngulnin në kapjen pas transmetimeve (etherit) dhe në kufizimin e përdorimit të analogjisë (kijasit).

Ndërsa banorët e Irakut anonin më shumë nga re’ji (mendimi), i cili më pas u njoh si kijas; prijësi i kësaj rryme ishte Ibrahim en-Neha‘i, një nga nxënësit e Ibn Mesudit. Për këtë arsye, ithtarët e re’jit quheshin “irakianë”, dhe pas kohës së Ebu Hanifes, u quajtën Hanefi.

Dallimi mes Shkollës Medinase dhe Shkollës së Kufës

Mospajtimi mes këtyre dy shkollave u zgjerua në periudhat që erdhën pas sahabëve, gjatë kohës së kodifikimit të medhhebeve juridike. Ai u thellua edhe më shumë në fund të hilafetit të Benu Umejjes, kur u shfaqën sekte dhe rryma të shpikura, deri në atë masë sa ithtarët e secilës shkollë filluan ta kritikojnë tjetrën dhe të nënvlerësojnë metodën e saj në dhënien e fetvave.

Duhet pasur parasysh se shumica e fjalëve të dijetarëve të Hixhazit në kritikën dhe ashpërsinë ndaj dijetarëve të Irakut, si dhe gjykimi i përgjithshëm për ndalimin e përdorimit të mendimit (re’jit) në fe, erdhën për shkak të zgjerimit të dukshëm te irakianët në përdorimin e re’jit, e për shkaqe të tjera të ngjashme.

Megjithatë, përdorimi i mendimit (re’jit) në fe nuk është i qortueshëm në vetvete; qortimi ka për qëllim mendimin e dënueshëm, të ndërtuar mbi pasionin dhe dëshirën personale, mbi fanatizmin grupor që del jashtë udhëzimit të Islamit dhe bie ndesh me parimet dhe qëllimet e sheriatit islam. Në fakt, këto fjalë të ashpra përshkruajnë saktësisht sektet dhe rrymat e shpikura, të cilat mbështeteshin në mendimin subjektiv dhe pasionin në gjykime; dhe këta, në shumicën e rasteve, as nuk lidheshin me sahabët, as nuk u jepnin peshë metodologjisë së tyre.

Për këtë arsye, nuk lejohet që fjalët qortuese ndaj përdorimit të mendimit në këtë kontekst t’i drejtohen medh’hebit të Ehli Sunetit në Irak, pasi lidhja e tij me sahabët dhe tabiinët muxhtehidë që banonin në tokat e Irakut është e vërtetuar.

Në të vërtetë, Shkolla e Irakut nxori dijetarët më të shquar të fikhut dhe hadithit në epokën e tabiinëve, të cilët trashëguan dijen e Pejgamberit (a.s) dhe të sahabëve – Allahu qoftë i kënaqur me ta – dhe u ndikuan thellë nga metodologjia e juristëve sahabë. Këtë e ka theksuar edhe dijetari Mustafa ez-Zerka, i cili thotë: “Kur ndiqet lëvizja juridike që nga koha e halifëve të drejtë, bëhet e qartë se fara e parë nga e cila mbinë shkollat juridike dhe më pas u formuan medhhebet, ishte shfaqja e dy prirjeve mes sahabëve në kuptimin e teksteve legjislative: Prirja e parë: qëndresa në kuptimin dhe interpretimin e tekstit […] pa u thelluar në shkakun e tij, motivet dhe rrethanat në të cilat ka ardhur, si dhe pa njohur qëllimin e Ligjvënësit; Prirja e dytë: përdorimi i mendimit, kërkimi i shkakut, urtësisë dhe qëllimit të Ligjvënësit nga teksti, për ta zbatuar atë në formën që realizon këtë qëllim në kuadër të synimeve të përgjithshme të sheriatit. Disa sahabë shfaqën prirje nga drejtimi i parë, nga frika se mos gabonin në zbatimin e urdhrave dhe ndalesave të të Dërguarit (a.s); ndërsa disa të tjerë – veçanërisht ata që u ngarkuan me përgjegjësi – shfaqën prirje nga drejtimi i dytë.”

Umeri ibn el-Hattabi (r.a) dhe medhhebi i Ehli’r-Rejit

Mund të nxjerrim në pah themelet e shkollës së Ehli Irakut dhe lidhjen e saj me fikhun e sahabëve, si dhe afrimin e saj me fikhun e Umerit ibn el-Hattabit (r.a). Umeri ishte halifi i dytë dhe “më i thelli ndër sahabë në kuptimin e tekstit, më i dalluari në ixhtihad për ta kuptuar atë dhe më i guximshmi në shprehjen e mendimit lidhur me të”. Çështjet problematike që iu paraqitën sahabëve dhe në të cilat ata bënë ixhtihad, i japin Umerit ibn el-Hattabit (r.a) këtë veçori në më shumë se një rast. Megjithatë, ai tregonte kujdes të madh në këshillimin me sahabët dhe në maturinë e vendimmarrjes. Esh-Sha‘biju transmeton: “Çështja i paraqitej Umerit ibn el-Hattabit (r.a), e ndoshta ai e shqyrtonte për një muaj, duke u këshilluar me shokët e tij; ndërsa sot në një seancë zgjidhen njëqind çështje.”

Abdullah ibn Mes‘udi (r.a) ndoqi metodën e Umerit dhe u ndikua prej tij në mendimet e veta. Transmetohet prej tij se ka thënë: “Mendoj se Umeri mori me vete nëntë të dhjetat e dijes.” Në librin “A‘lam el-Muuakki‘in” përmendet se Ibn Mes‘udi pothuajse nuk e kundërshtonte Umerin në asgjë nga mendimet e tij juridike, dhe se ka thënë: “Sikur njerëzit të ndiqnin një luginë e një shteg, e Umeri një luginë e një shteg tjetër, unë do të ndiqja luginën dhe shtegun e Umerit.”

Ibrahimi en-Neha‘i, tabi‘iu i madh dhe fakihu i Irakut, ishte më i përpiktë në fikhun e Ibn Mes‘udit dhe muftiu i banorëve të Kufes. Tek ai përfundoi fiku i Ibn Mes‘udit (r.a), të cilit iu përmbajt fort, siç tregon për veten e tij: se nuk parapëlqente asnjë mendim mbi fjalën e Umerit dhe Ibn Mes‘udit kur ata pajtoheshin; e kur ata ndryshonin, fjala e Abdullahut i dukej më e pëlqyeshme, “sepse ai ishte më i hollë (më i butë në qasje)”. Ibrahimi en-Neha‘i transmetoi nga nxënësit e Ibn Mes‘udit, si xhaxhai i tij Alkame ibn Kajs en-Neha‘i, daja i tij el-Esved en-Neha‘i, Mesruku ibn el-Exhda‘ dhe të tjerë, dhe përcolli fikhun e tyre.

Më pas, drejtimi i kësaj shkolle kaloi te Ibn Ebi Lejla, Ibn Shubrume, Sherik el-Kadi dhe Ebu Hanife (Allahu i mëshiroftë të gjithë).

Afërsia ndërmjet Ehli’l-Hadithit dhe Ehli’r-Rejit

Ndryshimi ndërmjet dy shkollave, në kohën e tabi‘inëve, ishte i kufizuar në një periudhë shumë të shkurtër, që përkoi me lindjen e fikhut në fazën e themelimit gjatë këtij shekulli, për shkak të ngjarjeve të njëpasnjëshme dhe zgjerimit të mospajtimeve ndërmjet juristëve, siç u përmend më parë. Mirëpo kjo gjendje nuk vazhdoi gjatë; pas kësaj u përhap gjerësisht transmetimi i hadithit, i cili përbën lëndën bazë të fikhut, dhe fetvatë e juristëve nga krahinat e ndryshme u përhapën nëpër botë. Çështja u stabilizua ndërmjet dy drejtimeve në pranimin e mendimit të drejtë, që është kijas-i (analogjia), një nga burimet e fikhut islam.

Ebu Zehra thotë: “Por dallimi ndërmjet Ehli’r-Rejit dhe Ehli’l-Hadithit nuk vazhdoi gjatë; sepse brezi që erdhi pas imamëve themelues të medhhebeve dhe nxënësve të tyre u takua dhe u afrua, sado që mësuesit e tyre të kishin dallime. Imam Muhamedi, nga nxënësit e Ebu Hanifes, udhëtoi në Hixhaz dhe studioi Muvetta-n e Malikut; ndërsa Shafi‘iu mori fikhun e Ehli’r-Rejit nga Muhamed ibn el-Hasani. Edhe vetë Ebu Jusufi i mbështeti shumë mendime të Ehli’r-Rejit me hadithe. Prandaj i gjejmë librat e ndryshëm të fikhut të mbushur njëkohësisht me mendim (re’j) dhe hadith, gjë që tregon ndërthurjen e tyre, edhe pse juristët dallonin për nga shkalla e mbështetjes më shumë ose më pak në njërin prej tyre.”

Gjatë shekullit të dytë e deri në mesin e shekullit të katërt u gjallërua lëvizja e autorësisë dhe e mbledhjes së mendimeve juridike të dijetarëve; u shfaq edhe kodifikimi i fikhut në mënyrë shkencore, sipas medhhebeve. Ndër librat më të hershëm të shkruar sipas medhhebeve juridike ishte vepra e kadiut Ebu Jusuf, nxënësit më të madh të imam Ebu Hanifes. Ibn en-Nedimi thotë për të: “Nga librat e tij në usul dhe në emali janë: Libri i Namazit, Libri i Zekatit dhe të tjerë libra të fikhut; Libri i Mospajtimeve të Krahinave; Libri i Kundërpërgjigjes ndaj Malikut ibn Enesit; traktati i tij mbi haraçin drejtuar Harun er-Rashidit; si dhe Libri el-Xhami‘, të cilin e shkroi për Jahja ibn Halidin dhe që përmban dyzet libra, ku përmend mospajtimet e njerëzve dhe mendimin juridik të pranuar.” Nga këto vepra, deri te ne ka mbërritur vetëm Libri i Haraçit.

Kështu u formësuan medh’hebet juridike; disa muxhtehidë shpjeguan dhe sistemuan mendimet e tyre juridike, ashtu siç bëri Muhamed ibn el-Hasan esh-Shejbanij duke transmetuar mendimet e mësuesit të tij Ebu Hanife. Imam Maliku përpiloi Muvetta-n për sistemimin e dispozitave, Shafi‘iu diktoi librin e tij el-Umm, dhe fiku u bë i shkruar në libra, i rregulluar sipas kapitujve dhe nënkapitujve. Në këtë mënyrë u formuan katër medhhebet juridike dhe u dalluan mendimet e imamëve të tyre.

Autor: Idriz Ahmed

Përktheu: Elton Harxhi

By: ardhmëriaonline.com