Siguria kibernetike, SHBA i shpallin luftë Kinës

Shtetet e Bashkuara i kanë shpallur luftë agresionit kibernetik kinez. Në koordinim me aleatët në Europë dhe Azi, Amerika ka ngritur paditë e para ndaj hakerave kinezë, të cilët janë përpjekur të manipulojnë tregtinë ndërkombëtare.

Departamenti amerikan i Drejtësisë ka ngritur padi ndaj dy shtetasve kinezë, të akuzuar për sulme ndaj rrjeteve kibernetike të kompanive dhe agjencive qeveritare në vendet perëndimore. Dy shtetasit kinezë dyshohet të jenë pjesëtarë të një grupi të njohur hakerash të lidhur me shërbimet kineze të inteligjencës.  Sipas autoriteteve amerikane, personat në fjalë, të cilët nuk janë arrestuar, kanë sulmuar edhe institucione në Mbretërinë e Bashkuar, Australi, Kanada, Japoni, Holandë, Zelandën e Re dhe Suedi.

Duke reaguar qeveria e Britanisë së Madhe ka deklaruar se bashkohet me nismën e aleatit të saj, për të konsideruar qeverinë kineze përgjegjëse për një fushatë globale agresioni kibernetik për të vjedhur sekrete tregtare. Zhu Hua dhe Zhang Shilong punonin për një kompani të kontraktuar nga Ministria kineze për Sigurinë e Shtetit, ka deklaruar një gjykatë amerikane. Sipas burimeve, koorporatat amerikane të aviacionit, teknologjisë së hapësirës dhe agjenci të ndryshme të marinës kanë qenë objektiva të hakerave kinezë.

Duke njoftuar ngritjen e padive, zëvendës prokurori i përgjithshëm i Shteteve të Bashkuara, Rod Rozenshtejn deklaroi se Kina ka shkelur një marrëveshje të vitit 2015, përmes të cilës ajo zotohej se nuk do të angazhohej në spiunazhin tregtar kibernetik. Zoti Rozenshtejn tha se, lëvizja e Departamentit të Drejtësisë është bërë në koordinim me aleatët e Amerikës në Europë dhe Azi, për të rrënuar agresionin ekonomik të Kinës. “Këto aktivitete ilegale duhet të marrin fund”, tha Rozenshtejn./abcnews.al