Siri, rrëzohet statuja e Hafez al-Asadit nga popullata në Hama

Statuja e Hafez al-Asadit në provincën Hama të Sirisë është rrëzuar nga popullata, raporton Anadolu.

Sipas informacioneve të marra nga burime në terren, statuja e babait të Bashar al-Asadit, Hafez Asad, në Hama, është shkatërruar nga banorët e qytetit.

Në shkurt të vitit 1982, presidenti i atëhershëm sirian Hafez al-Asad nisi një operacion ushtarak në shkallë të gjerë kundër Vëllazërisë Muslimane, duke e kthyer atë në një masakër në të cilën u vranë të paktën 30 mijë civilë. Ndërkaq, mbeti i panjohur fati i të paktën 17 mijë civilëve të ndaluar nga regjimi.

Në masakër u shkatërruan 88 xhami, 3 kisha dhe shumë monumente historike.

– Zhvillimet në Siri

Më 27 nëntor, shpërthyen përleshje midis forcave të regjimit të Asadit dhe grupeve të armatosura kundër regjimit në zonën rurale perëndimore të provincës së Halepit në veri të Sirisë.

Grupet kundër regjimit, të cilat morën kontrollin në pjesën më të madhe të qendrës së Halepit nga forcat e regjimit më 30 nëntor, fituan kontrollin në gjithë Idlibin në të njëjtën ditë.

Forcat anti-regjim morën qendrën e qytetit Hama nga forcat e regjimit më 5 dhjetor, pas përleshjeve të ashpra.

Në operacionin “Agimi i Lirisë” që Ushtria Kombëtare Siriane (SNA) nisi kundër organizatës terroriste PKK/YPG më 1 dhjetor në periferi të Halepit, u çlirua qendra e qytetit Tel Rifat.