Forcat e sigurisë siriane arrestuan një udhëheqës të lartë të DEASH-it në periferinë e Damaskut në një operacion të kryer në koordinim me një koalicion ndërkombëtar kundër grupit terrorist, tha Ministria e Brendshme e Sirisë, transmeton Anadolu.
Njësitë e specializuara, në bashkëpunim me Drejtorinë e Përgjithshme të Inteligjencës dhe forcat e koalicionit, kryen bastisje të koordinuar në një vendstrehim të DEASH-it në qytetin Moadamiyah pas mbikëqyrjes intensive dhe gjurmimit të inteligjencës, tha Agjencia Arabe Siriane e Lajmeve (SANA), duke cituar gjeneral brigade Ahmad al-Dalati, kreun e sigurisë së brendshme në fshatin e Damaskut.
Operacioni çoi në arrestimin e Taha al-Zoubi, i njohur edhe si Abu Omar Tibiya, së bashku me disa nga ndihmësit e tij. Forcat e sigurisë sekuestruan një jelek vetëvrasës dhe armë të nivelit ushtarak, tha Al-Dalati.
Ai e përshkroi arrestimin si “një goditje të madhe” për grupin terrorist. Al-Dalati tha se kjo tregonte gatishmërinë e agjencive të sigurisë së Sirisë për t’u përballur me çdo kërcënim për kryeqytetin dhe rrethinat e tij. Zyrtari i sigurisë paralajmëroi se kushdo që bashkohet ose ndihmon DEASH-in do të ndiqet penalisht dhe do të mbahet përgjegjës, duke shtuar se nuk do të ketë strehë të sigurt për terrorizmin në Siri.
Të dielën, Ministria e Brendshme tha se kishte shkatërruar një celulë të DEASH-it në qytetin Daraja pranë Damaskut dhe arrestoi shtatë persona.
Siria u bashkua me koalicionin ndërkombëtar të udhëhequr nga SHBA-ja kundër DEASH-it më 12 nëntor, sipas një deklarate nga ambasada amerikane në Damask. Koalicioni u formua në vitin 2014 dhe ka kryer operacione ushtarake kundër DEASH-it në Siri dhe Irak, megjithëse Damasku nuk ishte më parë anëtar.




