Ballina Lajmet Rajon dhe Botë Sisi mirëpret ofertën e Trump për ndërmjetësim në mosmarrëveshjen për digën e...

Sisi mirëpret ofertën e Trump për ndërmjetësim në mosmarrëveshjen për digën e Nilit me Etiopinë

Presidenti egjiptian Abdel Fattah al-Sisi ka deklaruar se vlerëson ofertën e presidentit amerikan Donald Trump për të ndërmjetësuar në mosmarrëveshjen mbi ujërat e lumit Nil mes Egjiptit dhe Etiopisë.

Në një postim në platformën X, Sisi tha të shtunën se i është përgjigjur letrës së Trump duke riafirmuar qëndrimin e Egjiptit dhe shqetësimet serioze për sigurinë ujore të vendit në lidhje me Digën e Madhe të Rilindjes Etiopiane (GERD).

Të premten, Trump deklaroi se është i gatshëm të rifillojë ndërmjetësimin amerikan mes Egjiptit dhe Etiopisë për të zgjidhur mosmarrëveshjen rreth digës, të cilën Egjipti dhe Sudani e konsiderojnë një kërcënim të madh për furnizimet e tyre jetike me ujë.

Egjipti e ka kundërshtuar prej vitesh këtë projekt, për shkak të varësisë së thellë nga ujërat e Nilit dhe frikës për ndikimin e digës në sasitë e ujit në të ardhmen. Edhe Sudani, një tjetër vend poshtë rrjedhës së lumit, ka shprehur shqetësime për menaxhimin, sigurinë dhe ndikimin e digës në rezervat dhe infrastrukturën e tij ujore.

Edhe udhëheqësi i ushtrisë sudaneze, Abdel Fattah al-Burhan, e mirëpriti të shtunën ofertën e Trump për ndërmjetësim.

Nga ana tjetër, Etiopia, vendi i dytë më i populluar në Afrikë me mbi 120 milionë banorë, e sheh digën prej 5 miliardë dollarësh, të ndërtuar mbi një degë të Nilit, si thelbësore për ambiciet e saj ekonomike. Autoritetet etiopiane kanë hedhur poshtë vazhdimisht pretendimet e Egjiptit, duke theksuar se projekti nuk do të dëmtojë vendet fqinje. /mesazhi