Skandali në Maqedoni: njerëzit e Gruevskit dogjën dosjet e përgjimeve

Zbulohet një skandal i përmasave të mëdha në Maqedoni, ku flitet për zhdukje të materialeve kompromentuese të një prej dosjeve më bujshme kundër Nikolla Gruevskit në Prokurorinë Speciale.

Siç bëjnë të ditur mediat maqedonase, në një tunel në bazën Brest, 30 kilometra nga Shkupi, me urdhër të ish-shefit të DSK-së, Goran Gruevski janë zhdukur dokumente të shërbimeve sekrete maqedonase, në lidhje me dosjen e titulluar “Fortesa”.

Skandali është zbuluar nga Ministria e Brendshme, e cila megjithatë nuk ka dhënë detaje mbi operacionin e shkatërrimit të provave.

Skandali pritet të përfshijë jo vetëm shërbimin  sekret maqedonas, por edhe krerët e Ministrisë së Brendshme.

Gjatë procesit gjyqësor për rastin “Fortesa”, të pandehurit kanë deklaruar se kanë marrë thasë me qese të zeza për t’i asgjësuar në bazën ushtarake të Brest-it./Mesazhi/