Smrekonica del nga karantina

Fshati Smrekonicë në komunën e Vushtrrisë është larguar nga karantina të dielën.

Kjo u bë e ditur nga kryetari i Komunës së Vushtrisë, Xhafer Tahiri përmes një postimi në Facebook.

“Sapo bisedova në telefon me Ministrin Vitia dhe më konfirmoi që kërkesa edhe e jona, por edhe e banorëve, po realizohet sot sipas rekomandimit të IKSHPK”, shkruan Tahiri në Facebook.

Ai ka falënderuar banorët, Këshillin e Fshatit dhe kryetarin e Smrekonicës, Fidan Bejtën.

Po ashtu ka falëndëruar Policinë e Kosovës dhe stafin e QKMF Vushtrri si dhe vullnetarët që ndihmuan banorët e fshatit në këtë kohë jo të lehtë.

“Disciplina juaj është kthyer në sukses duke mos u përhapur më shumë coronavirus në mesin e banorëve. Ndërsa betejën po e fitojmë tani për tani, duhet të vazhdojmë me KUJDES, duke mbajtur DISTANCËN dhe duke respektuar orarin e qarkullimit”, shkruan ai.