​Sot përfundon afati për konvertimin e targave ilegale

Sot ka përfunduar afati për konvertimin e targave ilegale të Serbisë në ato RKS.

Më 30 nëntor, Qeveria e Kosovës kishte marrë vendim për zgjatjen e afatit të konvertimi të tyre, deri më sot.

“Qeveria e Republikës së Kosovës ka ndryshuar dhe plotësuar Vendimin e Qeverisë Nr.01/170 të datës 30 tetor 2023 , duke zgjatur kështu afatin për regjistrimin me benefite financiare për pronarët e automjeteve me denominimet “PR”, “KM”, “PZ”, “GL”, “UR”, “PE”, “DA” apo “ĐA” deri me 15 dhjetor 2023”, thuhej në vendimin e qeverisë.

Afati për konvertimin e targave do të duhej të përfundonte më 1 dhjetor por Qeveria e Kosovës e kishte zgjatur atë edhe për 15 ditë pasi ishin vërejtur radhë të gjata para qendrave për riregjistrim.

Targat KM, dhe me akronime të tjera serbe për qytetet e Kosovës janë lëshuar nga autoritetet serbe dhe konsiderohen të paligjshme nga autoritetet në Kosovë.

Sipas Qeverisë së Kosovës, nga 1 nëntori deri më 14 dhjetor, 3.405 qytetarë kanë konvertuar targat e tyre në RKS dhe komunat me numrin më të madh janë Mitrovica e Veriut dhe Leposaviqi.

“Ndërsa, nga tërë procesi prej vitit të kaluar janë gjithësej 4210 konvertime të tabelave”, bëri të ditur Fetoshi duke theksuar se “përveç lehtësirave financiare, në afatin e kaluar, ne ndryshuam edhe udhëzimin administrativ në mënyrë që qytetarët tanë të komunitetit serbë në veri të mund të regjistrojnë veturat e tyre me targat e regjionit në të gjitha Qendrat e Regjistrimit të Automjeteve pavarësisht vendbanimit apo vendqëndrimit të tyre”.

Sipas Qeverisë së Kosovës i tërë ky proces ka për qëllim ligjshmërinë dhe sigurinë në trafik.

Qarkullimi i veturave me targa të tilla është toleruar deri më tani në veri, ndërsa në zonat e banuara nga serbët në jug të Ibrit, ato ishin larguar nga përdorimi më shumë se dhjetë vjet më parë.

Sipas përllogaritjeve të sektorit civil serb, në komunat në veri të Kosovës, të banuara me shumicë serbe, ka pasur rreth 10.000 vetura me targa KM.

Çështja e targave KM është ka shkaktuar kriza në veri që çuan në protesta, daljen e serbëve nga institucionet dhe vendosjen e barrikadave.

Tensionet në veri kulmuan më 24 shtator të këtij viti me një sulm të armatosur ndaj Policisë së Kosovës nga një grup i serbëve lokalë, ku mbeti i vrarë një polic i Kosovës dhe tre sulmues serbë./REL/