Specialja njofton për datat se kur do të bëhen deklaratat përmbyllëse në rastin e ish-krerëve të UÇK-së

Gjykata Speciale në Hagë ka publikuar një njoftim lidhur me procesin gjyqësor ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.

Në komunikatë bëhet e ditur se deklaratat përmbyllëse për këtë rast do të mbahen gjatë muajit të ardhshëm.

Nga data 9 deri më 13 shkurt, si dhe më 16 dhe 18 shkurt, para Dhomave të Specializuara në Hagë do të zhvillohen deklaratat përmbyllëse në gjykimin ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit. Seancat janë paraparë të mbahen nga ora 09:00 deri në 16:30, thuhet ndër të tjera në njoftimin e Speciales.

Më 9 shkurt do të paraqitet deklarata përmbyllëse e Prokurorisë, e cila do të vazhdojë edhe më 10 shkurt, së bashku me deklaratën përmbyllëse të Mbrojtjes së Viktimave.

Më 11 shkurt është planifikuar deklarata përmbyllëse e Mbrojtjes së Thaçit dhe Veselit, ndërsa ajo e Veselit do të vazhdojë edhe më 12 shkurt. Në të njëjtën ditë do të paraqitet edhe deklarata përmbyllëse e Mbrojtjes së Rexhep Selimit, e cila do të vazhdojë edhe të premten, më 13 shkurt, ditë kur do të nisë edhe deklarata përmbyllëse e Jakup Krasniqit. Kjo e fundit do të vazhdojë edhe më 16 shkurt.

Po ashtu, më 16 shkurt është paraparë që Trupi Gjykues të parashtrojë pyetje.

Aktakuza fillestare ndaj katër të akuzuarve u konfirmua më 26 tetor 2020 dhe më pas u ndryshua më 3 shtator 2021, më 29 prill 2022 dhe më 30 shtator 2022.