Ballina Lajmet Kosovë Spitali i Gjakovës pezullon operacionet për një javë

Spitali i Gjakovës pezullon operacionet për një javë

Spitali i përgjithshëm i Gjakovës “Isa Grezda” që nga data 16 korrik e deri më datën 22 korrik ka pezulluar operacionet efektive (jourgjente) në Repartin e Kirurgjisë, të Urologjisë, si dhe në Repartin e Ortopedisë.

Këtë vendim thuhet se e kanë marrë në mënyrë që t’u japin përparësi rasteve emergjente, për shkak se fluksi i pacientëve në këtë spital është i madh, ndërsa numri i personelit mjekësor i pamjaftueshëm.Ndërsa për vendimin që ka marrë ky spital një javë më parë nuk ka qenë i informuar drejtori i përgjithshëm i Shërbimit Spitalor, Klinik dhe Universitar të Kosovës (SHSKUK).

Drejtori i Spitalit të Gjakovës, Ahmet Asllani, ka thënë për “Zërin” se vendimin për pezullimin e rasteve elektive e ka marrë Këshilli Drejtues në këtë spital.Sipas tij, fillimisht është menduar që për një muaj të mos kryhen operacionet elektive, por që ky vendim është pezulluar pas një jave.“Ne përpara e kemi bërë këtë gjë kur kemi pasur pak staf. Ata e kanë bërë një kërkesë për shkak të rritjes së numrit të pacientëve, që t’u japin rasteve emergjente përparësi.

Këshilli Drejtues ka marrë vendim me kërkesën e njësive të bllokut operativ të anestezionit, mirëpo e kemi shfuqizuar atë. Në Gjinekologji nuk kemi pasur ndërprerje të programeve efektive, por në Kirurgji, në Urologji dhe në Ortopedi. Vendimin e kemi mbajtur në fuqi për 1 javë, por që kemi menduar për një muaj. Vendimin e kemi marrë diku pas datës 15 korrik”, ka thënë ai.