“START” shënon 15-vjetorin e themelimit

Institucioni Mikrofinanciar “START” ka shënuar 15-vjetorin e themelimit. Në manifestimin e këtij përvjetori u tha se “START” gjatë këtij rrugëtimi ka arritur të përkrahë mbi 16 mijë e 500 klientë me afër 25 milionë euro.

Armend Sahiti, zëvendësdrejtor i START-it, tha se gjatë këtij rrugëtimi 15-vjecar kanë pasur mjaftë sfida të cilat i kanë tejkaluar me sukses.

Tha se kanë filluar këtë veprimtari humane me vetëm 186 mijë euro apo 214 klientë ndër ta edhe ata me raste sociale.

Ndërsa thotë se tani klientët e tyre janë bërë fermerë dhe prodhues të suksesshëm.

“Një kredi mund të ndryshojë një familje dhe ti japë shpresë dhe vullnet, por për ta bërë një gjë të tillë START duhet ta bëjë punën e vet dhe të fokusohet në sipërmarrësi sociale ku do të lidhë furnitorin me klientin dhe klientin me tregun. Sot START ka arritur të përkrahë 16 mijë e 500 klientë me afër 25 milionë euro”, tha ai.

Ndërsa drejtori i START-it, Vehbi Zeqiri para të pranishmëve foli rreth sistemin financiar dhe kontributit të START-it në përgjithësi.

Do të ishte shumë e padrejtë që suksesi i START-it të vlerësohet vetëm përmes pasqyrave financiare. Të gjitha të arriturat në aspektin social, shoqërorë, profesional, dhe zhvillimit të klientëve do të hidheshin poshtë. Besojmë bindshëm që START ka plotësuar obligimin human dhe social prandaj ky emër do të gdhendet në fletët e historisë si një iniciativë modeste por shumë domethënëse, tha Zeqiri, duke shtuar se START do të vazhdojnë rrugëtimin drejt realizimit të qëllimit për çka edhe është themeluar.

Vitin e kaluar START-i arriti bashkëpunim me Postën e Kosovës, duke ia lehtësuar edhe më shumë klientëve shërbimet.

Bashkim Mustafa nga ky institucion publik falënderoi START-in për bashkëpunimin dhe u zotua se ky bashkëpunim i sinqertë do të vazhdojë edhe në të ardhmen.

Një fjalë rasti e mbajti edhe Shaban Hajra nga Gjykata e Skenderajt, i cili falënderoi START-in për bashkëpunimin e ndërsjellë, si dhe për ndihmën e dhënë për qytetarët e Skenderajt me rrethinë.

START ka një bashkëpunim të shkëlqyer me shumë institucione vendore. Andaj në këtë përvjetor ndau mirënjohje për të gjithë bashkëpunëtorët.
Në këtë manifestim ishin të pranishëm përfaqësues të bizneseve, bashkësive fetare dhe dashamirë e ndihmëtarë të START-it.

Institucioni Mikro Financiar START është themeluar nga O.J.Q. Islamic Relief zyra në Birmingham të Britanisë së Madhe si O.J.Q. lokale në muaji prill 2002 e specializuar në fushën e mikro kredisë.