Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, ka deklaruar se NATO mbetet e gatshme të angazhohet në një “dialog kuptimplotë” me Rusinë, raporton Anadolu Agency (AA).
“Mënyra më e mirë që Rusia të demonstrojë gatishmërinë e saj për të gjetur një zgjidhje paqësore është de-përshkallëzimi dhe largimi i forcave që aktualisht po kërcënojnë Ukrainën”, tha Stoltenberg në një konferencë të përbashkët për media me presidentin kolumbian, Ivan Duque Marquez, pas takimit të tyre në Bruksel.
Stoltenberg njoftoi se me presidentin kolumbian diskutuan partneritetin midis NATO-s dhe Kolumbisë, si dhe “ngritjen e pajustifikuar ushtarake” të Rusisë brenda dhe rreth Ukrainës.
Shefi i NATO-s theksoi se aleanca mbetet e gatshme për të filluar një “dialog kuptimplotë” me Rusinë dhe kërkoi nga Moska që të “zgjedhë rrugën e diplomacisë” në konfliktin me Ukrainën.
Duque, nga ana e tij, riafirmoi mbështetjen e Kolumbisë për integritetin territorial dhe sovranitetin e Ukrainës, si dhe premtoi se vendi i tij do t’i bashkohet komunitetit ndërkombëtar në vendosjen e sanksioneve ndaj Moskës në rast të pushtimit rus të Ukrainës.
Ai pohoi se zgjedhje e dialogut mbi përshkallëzimin do të ishte një “rrugë më e mirë për botën”.
Stoltenberg dhe Duque po ashtu folën për “thellimin e bashkëpunimit” midis Rusisë dhe Kinës, si dhe për mbështetjen e tyre për “regjimin represiv” në Venezuelë.
“Ne ramë dakord se të gjitha palët duhet të luajnë një rol konstruktiv për paqen dhe stabilitetin rajonal”, theksoi Stoltenberg.
Javën e kaluar, Stoltenberg i dërgoi një letër ministrit rus të Punëve të Jashtme, Sergey Lavrov, duke ftuar Moskën të vazhdojë bisedimet me Këshillin NATO-Rusi për kontrollin e armëve dhe transparencën ushtarake.
Rusia ka grumbulluar më shumë se 100 mijë trupa pranë kufijve të Ukrainës, duke shkaktuar frikë se mund të planifikojë një tjetër ofensivë ushtarake kundër ish-republikës sovjetike.
SHBA dhe aleatët e saj kanë paralajmëruar për një sulm të afërt dhe kanë kërcënuar Rusinë me “pasoja të rënda”.
Megjithatë, Moska ka mohuar se po përgatitet të pushtojë Ukrainën dhe ka theksuar se trupat e saj ndodhen atje për stërvitje. /aa








