Studentëve u dalin 100 eurot nga Qeveria, si mbështetje për inflacionin

Ministri i Financave, Hekuran Murati ka njoftuar se sot do t’u dalin studentëve, 100 eurot nga Pakoja e Përballjes me Inflacionin.

Murati ka njoftuar se mbështetje prej 100 eurove kanë përfituar 50 mijë e 778 studentë.

“50,778 studentë sot pranojnë mbështetjen e njëhershme prej 100 euro në kuadër të Pakos për Përballje me Inflacionin. Mbështetja për studentët nuk mbaron me kaq. Studimet i kemi bërë falas, kurse sivjet kemi rritur edhe numrin e bursave në 2 mijë për ata që studiojnë në STEM, nga 1,000 sa ishte vitin e kaluar. Qeveria për studentët”, ka shkruar Murati.

Aplikimi për studentët ka qenë i hapur 20 tetori deri më 6 nëntor, në platformën e-Kosova, përderisa të drejtë për të aplikuar kanë pasur të gjithë studentët që vijojnë studimet në universitetet dhe kolegjet e akredituara në vend.

Kujtojmë se deri më tani shtesat prej 100 eurove janë ndarë për pensionistët, kategoritë sociale dhe punëtorët e sektorit publik për muajin shtator dhe tetor me nga 50 euro.

Qeveria me Pakon e fundit ka paraparë ndarjen e shtesave direkte për punëtorët e sektorit publik me nga 50 euro nga muaji shtator, të ndërmarrjeve publike me 100 euro të njëhershme, si dhe pensionistët dhe studentët me nga 100 euro të njëhershme.