Studimi: Problemet me gjumin rrisin rrezikun e goditjes në tru

A gërhitni, rrotulloheni, flini gjatë ditës, zgjoheni natën dhe flini shumë pak apo shumë? Të gjitha këto probleme ulin cilësinë e gjumit tuaj dhe mund të rrisin rrezikun e goditjes në tru, sipas një studimi të ri.

Sa më shumë probleme me gjumin të keni, aq më i madh është rreziku për goditje në tru. “Nëse keni më shumë se pesë nga këto simptoma, atëherë rreziku për goditje në tru mund të rritet pesëfish”, thotë autorja e studimit Christine McCarthy nga Universiteti i Galway, Irlandë.

“Këto gjetje janë në përputhje me hulumtimet e mëparshme që lidhin gjumin e dobët me presionin e lartë të gjakut dhe problemet vaskulare, të cilat rrisin rrezikun e goditjes në tru,” komenton Kristen Knutson, profesor i asociuar i neurologjisë dhe mjekësisë në Shkollën e Mjekësisë të Universitetit Northwestern (Chicago).

“Gjatë gjumit natën na bie presioni i gjakut, gjë që është normale. Ky proces mund të ndërpritet për shkak të gjumit të dobët. Në studime të tjera, gjumi i dobët është lidhur me diabetin, demencën dhe sëmundjet e zemrës”, thotë Dr. Phyllis Zee, drejtoreshë e Qendrës së Terapisë së Gjumit në Shkollën e Mjekësisë të Universitetit Northwestern.

Rezultatet e sondazhit

Hulumtimi i ri, i botuar në revistën Neurology, përfshiu 4,500 njerëz që kanë pësuar një goditje në tru. Pothuajse 1800 prej tyre kishin pësuar një episod ishemik, ndërsa 439 kishin përjetuar një hemorragji intracerebrale.

Pas studimit, u bë një krahasim me njerëz të së njëjtës moshë dhe gjini, të cilët nuk kishin histori goditjeje në tru. Të dy grupet iu përgjigjën pyetjeve në lidhje me cilësinë e gjumit.

Rezultatet e hulumtimit treguan se ata që flinin më pak se pesë orë çdo natë kishin tre herë më shumë gjasa të pësonin goditje në tru sesa ata që flinin shtatë orë.

Nga ana tjetër, gjumi i tepërt është i keq, pasi ata që flenë më shumë se nëntë orë kanë dy herë më shumë rrezik për të pasur goditje në tru.

Në të njëjtin studim u zbulua se apnea e gjumit lidhet me një rrezik tre herë më të madh për goditje në tru.

Gërhitja konsiderohej gjithashtu e rrezikshme. Ata që gërhisnin kishin 91% më shumë gjasa për të pasur një goditje.

Fjetja gjatë ditës për më shumë se një orë rrit rrezikun e goditjes në tru me 88%. Nga ana tjetër, një pushim për më pak se një orë nuk konsiderohet e rrezikshme.

Sigurisht, duhet theksuar se hulumtimi tregoi lidhjen e problemeve të gjumit me goditjen në tru, jo etiologjinë. Me fjalë të tjera, nuk është e sigurt nëse gjumi i dobët çon në goditje në tru apo nëse shkakton një sërë problemesh të tjera (stresi, konsumimi i kafeinës, më pak ushtrime për shkak të lodhjes) rrisin rrezikun e goditjes në tru.

Çfarë duhet të bëni për të fjetur mirë

Mbani një dietë të shëndetshme

Ushtroni shpesh, mundësisht në mëngjes

Bëni shtatë deri në tetë orë gjumë të pandërprerë çdo natë

Shkoni në shtrat dhe zgjohuni në të njëjtën kohë çdo ditë

Jini të ekspozuar ndaj dritës së mëngjesit dhe mesditës

Mos kaloni shumë kohë në shtrat (p.sh. për të parë TV ose për të lexuar një libër)

Konsultohuni me një specialist nëse problemet e gjumit vazhdojnë