Sudan, arrin në 850 numri i civilëve të vrarë në konflikte

Të paktën 850 civilë kanë humbur jetën në përleshjet mes ushtrisë dhe grupit paraushtarak Forcat e Mbështetjes së Shpejtë (RSF) në Sudan, transmeton Anadolu.

Në një deklaratë nga Sindikata e Mjekëve të Sudanit thuhet se 850 civilë kanë humbur jetën ndërsa 3.394 të tjerë janë plagosur në përleshjet e shënuara në kryeqytetin Khartoum dhe qytetet e tjera mes ushtrisë dhe RSF.

Ushtria sudaneze kërkoi nga RSF integrimin e plotë në ushtri brenda 2 viteve, pasi e pa si kërcënim për shkak të sjelljes së saj si një ushtri e pavarur dhe paralele. Retorika e ashpër dhe përshkallëzimi i tensioneve që filluan pasi RSF deklaroi se këtë mund ta pranonte në një proces të shpërndarë në rreth 10 vite pas një qeverie civile, mëngjesin e 15 prillit u shndërruan në përleshje të armatosura mes palëve në kryeqytetin Khartoum dhe në qytete të ndryshme të vendit.

RSF u formua në formën e një strukture milice me qëllim për të luftuar kundër rebelëve, për mbrojtjen e kufijve dhe për të garantuar rendin në rajonin Darfur në kufi me Çadin në perëndim, gjatë periudhës së presidentit Omar al-Bashir i cili u rrëzua me një grusht shteti në vitin 2019.

RSF fillimisht në vitin 2013 ishte e lidhur me Agjencinë e Sigurisë dhe Inteligjencës dhe më pas u bë një strukturë e cila bëhej gjithnjë e më e pavarur. Theksohet se RSF ka dhjetëra mijëra pjesëtarë.

Përleshjet mes palëve vazhdojnë prej 36 ditësh që qytete të ndryshme dhe kryesisht në kryeqytetin Khartoum.