Sudani Jugor, shpallet krizë urie në disa rajone

Njoftohet se popullata në Sudanin Jugor po ballafaqohet me krizë urie, raporton Anadolu Agency (AA).

Fondi i Emergjencës i Kombeve të Bashkuara për Fëmijët (UNICEF), Programi Botëror për Ushqim (WFP), Organizata e Ushqimit dhe Bujqësisë (FAO) dhe Qeveria e Sudanit Jugor, në një njoftim të përbashkët me shkrim, kanë deklaruar se banorët që jetojnë në dy rajone të shtetit Unity, përballen me uri.

Në njoftimin thuhet se është shpallur krizë urie dhe se paraqitet rreziku nga përhapja e krizës së urisë në këto rajone ku jetojnë afër 100 mijë persona, ndërsa gjithashtu theksohet se 4.9 milionë njerëz të cilët përbëjnë 40 për qind të popullatës së Sudanit Jugor kanë nevojë urgjente për ushqim.

Kryetari i FAO-s në Sudanin Jugor, Serge Tissot, në lidhje me çështjen tha se lufta civile në këtë shtet ka shkatërruar bujqësinë e vendit, ndërsa shumica e këtyre njerëzve merren me bujqësi. “Na ndodhi ajo që jemi frikësuar. Shumë familje kanë harxhuar gjithçka që kanë poseduar për të mbijetuar.” tha Tissot.

“Nëse nuk shpërndahen ndihma, fëmijët do të vdesin”

Kryetari i UNICEF-it në Sudanin Jugor, Jeremy Hopkins ka thënë se më shumë se 250 mijë fëmijë nuk kanë ushqim të mjaftueshëm. “Nëse nuk arrijmë të japim ndihmë ndaj këtyre fëmijëve, shumica prej tyre do të vdesin”, tha ai.

Banorët e Sudanit Jugor që nuk mund të sigurojnë nevojat elementare siç janë ushqimi dhe barnat, vazhdojnë të kërkojnë strehim në shtetet fqinje. Sipas shifrave të OKB-së, numri i refugjatëve që kanë ikur nga Sudani Jugor në shtetet fqinje ka kaluar mbi 1.5 milionë. Uganda 698 mijë, Etiopi 342 mijë, Sudani 305 mijë, Kenia 89 mijë, Republika Demokratike e Kongo-s 68 mijë, janë shifrat e refugjatëve të shteteve fqinje që kanë ikur nga Sudani Jugor.

Në luftën civile të Sudanit Jugor e cila ka ndodhur në dhjetor të vitit 2013 deri në gusht të vitit 2015, afër 50 mijë njerëz kanë humbur jetën, ndërsa miliona të tjerë kanë qenë të detyruar të largohen nga shtëpitë e tyre.