Sudani ka kryesuar sërish listën e Komitetit Ndërkombëtar të Shpëtimit (IRC) për krizat humanitare më të rënda në botë, për të tretin vit radhazi, ndërsa lufta e vazhdueshme ka shkaktuar dhjetëra mijëra viktima dhe krizën më të madhe të zhvendosjes në nivel global.
Lista, e publikuar të martën, përfshin 20 vendet më të rrezikuara nga kriza humanitare të reja ose të përkeqësuara. Drejtori ekzekutiv i IRC-së, David Miliband, tha se ajo që po ndodh në Sudan “nuk është një aksident tragjik”, por pasojë e veprimeve dhe mosveprimeve ndërkombëtare që po e zgjasin krizën.
Lufta shpërtheu në prill 2023 si rezultat i një përplasjeje për pushtet mes ushtrisë sudaneze dhe forcave paraushtarake të Rapid Support Forces, duke shkatërruar shpresat për një kalim drejt sundimit civil.
Më shumë se 12 milionë njerëz janë zhvendosur nga konflikti, ndërsa punonjësit humanitarë përballen me mungesë të theksuar burimesh për të ndihmuar civilët që ikin nga dhuna, shumë prej të cilëve kanë përjetuar vrasje, grabitje dhe dhunë seksuale.
Pas Sudanit, në listë renditen territoret palestineze, Sudani i Jugut, Etiopia dhe Haiti. IRC thekson se këto vende, megjithëse përfaqësojnë vetëm 12 për qind të popullsisë botërore, përbëjnë 89 për qind të njerëzve në nevojë për ndihmë humanitare. /mesazhi








