Ndryshimet sociale e më pas ato politike është naivitet t’i presësh brenda një ditë nga kutia e votimit, madje as brenda një muaji apo edhe disa vitesh. Të tilla ndryshime nuk janë hedhje shorti me fat as ndeshje futbolli, ku mund të qëlloj të fitosh ndonjëherë edhe para më të fortit.
Ndryshimet duan kohë, dhe nuk janë rrufe në qiell të pastër, por një proces i dukshëm dhe i vazhdueshëm rezultatesh, që vijnë nga përpjekje të gjata dhe të mëdha bindjeje dhe ndërgjegjësimi.
Sukseset e papritura, jo vetëm që nuk janë të natyrshme, por edhe nëse ndodhin, janë prelud i dështimeve të sigurta. Puna me njerëzit është veprimtaria më e vështirë njerëzore, sepse ata motivohen më së shumti nga emocionet, interesat, afërsitë, preferencat, inatet, dashuritë, besimet, shpresat, iluzionet dhe shumë më pak nga arsyetimet racionale apo kauzat idealiste.
Pushteti politikë nuk është pikënisja e ndryshimit dhe as finalja e tij, është vetëm një hallkë e rëndësishme e tij dhe mbi të gjitha është një proces që nuk ndalet asnjëherë, që sigurisht ka start, por nuk ka finish.
Hoxhë Justinian Topulli








