Ballina Lajmet Rajon dhe Botë Sulm me armë ndaj një lideri musliman në Utah gjatë Ramazanit

Sulm me armë ndaj një lideri musliman në Utah gjatë Ramazanit

Një person i maskuar ka qëlluar me armë zjarri ndaj një lideri mysliman jashtë shtëpisë së tij në shtetin amerikan të Utah, gjatë muajit të shenjtë të Ramazanit, njoftuan autoritetet dhe mediat lokale.

Objektiv i sulmit, që ndodhi të hënën në mbrëmje në periferi të Salt Lake City, ishte Shuaib Din, imam dhe drejtues i Qendrës Islame Utah, xhamia më e madhe në këtë shtet. Ai nuk u lëndua, por automjeti i tij u godit disa herë nga plumbat.

Sipas raportimeve, sulmuesi kishte qëndruar brenda një makine pranë banesës së imamit përpara se të hapte zjarr, në momentin kur ai po nisej për faljen e mbrëmjes.

“E njihte shtëpinë time, e njihte makinën time, e njihte orarin tim”, ka deklaruar Din për mediat lokale.

Ai tha se kishte prishur agjërimin me familjen në shtëpi dhe, rreth dy minuta larg xhamisë, sapo kishte dalë nga garazhi kur një person i veshur me maskë dhe kapuç doli nga një automjet dhe qëlloi disa herë me armë, përpara se të largohej nga vendi i ngjarjes.

Policia ka nisur hetimet për kapjen e autorit, ndërsa përfaqësues të komunitetit dhe organizata për të drejtat civile kanë kërkuar masa të shtuara sigurie për komunitetin mysliman gjatë Ramazanit. /mesazhi