Sulmet izraelite në Gaza: 122 palestinezë të vrarë dhe 256 të plagosur në 24 orët e fundit

Të paktën 122 palestinezë janë vrarë dhe 256 të tjerë janë plagosur në 24 orët e fundit ndërsa forcat izraelite vazhduan sulmet e tyre në Rripin e Gazës, tha sot Ministria e Shëndetësisë në enklavën e bllokuar, transmeton Anadolu.

“Okupacioni izraelit kreu 12 masakra kundër familjeve në Rripin e Gazës, duke rezultuar në 122 viktima dhe 256 të plagosur gjatë 24 orëve të fundit”, tha Ministria e Shëndetësisë në një deklaratë.

Numri i të vrarëve palestinezë nga sulmet e vazhdueshme të ushtrisë izraelite në Gaza që nga 7 tetori është rritur në 22.722, ndërsa 58.166 janë plagosur, shtoi ministria.

Izraeli ka kryer sulme intensive ajrore dhe tokësore në Rripin e Gazës pas një sulmi ndërkufitar nga grupi palestinez Hamas më 7 tetor.

Zyrtarët izraelitë thonë se në sulmin e Hamasit janë vrarë rreth 1.200 izraelitë.

Sulmet izraelite e kanë kthyer Gazën në gërmadha, me 60 për qind të infrastrukturës të dëmtuar ose shkatërruar dhe gati 2 milionë banorë të zhvendosur, të cilët përballen me mungesë akute të ushqimit, ujit të pastër dhe ilaçeve.