Sulmohet fizikisht kryetari i FFK-së, Agim Ademi

Kryetari i Federatës së Futbollit të Kosovës Agim Ademi ka bërë të ditur se sot rreth otës 08:00 është sulmuar nga persona të panjohur në parkun e Gërmisë ku kishte dalur për të ecur.

Ai po ashtu ka shtuar se nga ky sulm nuk ka pësuar lëndime trupore dhe se është mirë me shëndet.

I pari i FFK-së gjitashtu ka njoftuar se për këtë rast është njoftuar Policia e Kosovës dhe ka thënë se sulme të tilla nuk do ta ndalojnë në rrugën e rritjes së mëtejme institucionit wë ai e drejton.

Ky është postimi i plotë i Agim Ademit në rrjetet sociale:

Duke pasur parasysh interesimin e madh të dashamirëve dhe të opinionit publik pas raportimit për sulm fizik ndaj meje, fillimisht dua të ju informoj se jam mirë me shëndet dhe nuk bëhet fjalë për ndonjë lëndim siç është raportuar.

Është e vërtetë që sot rreth orës 8:00 jam sulmuar fizikisht nga persona të maskuar në parkun e Gërmisë, aty ku çdo ditë e praktikoj ecjen dhe vrapimin në natyrë.

Personat në fjalë më sulmuan në mënyrë tinzare, por që fatmirësisht kalova pa lëndime serioze.

Lidhur me këtë rast është informuar edhe Policia e Kosovës, e cila tashmë është duke i kryer hetimet. Shpresoj dhe besoj se shumë shpejt personat e tillë do të dalin para organeve të drejtësisë dhe do të marrin dënimin e merituar.

Përkundër sfidave në punë, por edhe pengesave të këtij lloji, do të vazhdoj me tërë energjinë time t’i shërbej futbollit dhe ngritjes së mëtejme të FFK-së.

Vazhdojmë me krenari e përgjegjësi!

Me respekt,
Agim Ademi, president