Sveçla: Qytetarët janë të rrezikuar sepse kriminelët nuk po ndëshkohen nga drejtësia

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka thënë se po të mos dështonte sistemi i drejtësisë, vrasjet nuk do të ndodhnin.

Ai ka përmendur dënimin e përjetshëm ndaj Dardan Krivaqës për vrasjen e Marigona Osmanit, duke theksuar se drejtësia nuk është shërbyer plotësisht, pasi ndëshkimi erdhi vetëm pas vdekjes së një vajze të re.

“Duhet të humbte jetën e saj një nëntëmbëdhjetë vjeçare, dhe në mënyrën me te dhunshme, që sistemi i drejtësisë të ndjente peshën e krimit. Nuk pati ndëshkim për 135 veprat penale të mëhershme të Dardan Krivaqës. Nëse drejtësia do të kishte reaguar në kohën e duhur, Marigona do të ishte gjallë”, ka shkruar ai.

Edhe për vrasjen në “Bon Vivant” të premten mbrëma, Sveçla ka fajësuar sistemin e drejtësisë.

“Edhe sot humbëm një jetë nga dora e kriminelëve të cilët, për arsye të dështimeve të drejtësisë, kanë qenë të lirë”.

Ministri ka thënë se qytetarët në qendër të kryeqytetit janë të rrezikuar “për shkak të kriminelëve që nuk po ndëshkohen nga drejtësia”.

“Ata duke u ndjerë të plotfuqishëm përballë ligjit nuk hezitojnë që hesapet e tyre kriminale t’i zgjidhin me armë e atë në lokale publike në prezencë dhe duke rrezikuar dhjetëra të rinj të tjerë”.

Ka shtuar se drejtësia funksionon kur institucionet përmbushin funksionin e tyre.

“Është koha e fundit që efikasiteti i Policisë në këtë segment të rritet, por mbi të gjitha përgjegjshmëria dhe vendosmëria e Prokurorisë dhe guximi i gjykatësve për dënime drakonike për këtë kontingjent kriminal”.

Sveçla ka thënë tutje se ministria do të iniciojë themelimin e një taskforce për hetimin e thellë, jo vetëm të këtij rasti, por edhe të rasteve të tjera të ngjashme.