“Syri i Popullit”, prokuroria po analizon deklaratat e Thaçit e Veselit për Albin Kurtin

Prokurori Special, Sylë Hoxha ka folur në lidhje me deklaratat e dhëna nga presidenti i vendit, Hashim Thaçi në gjykimin e të akuzuarve në rastin e ‘Syrit të Popullit’.

I pyetur nëse do të hetojë deklaratat e dhëna nga presidenti Thaçi në gjykimin e të akuzuarve si anëtarë të ‘Syrit të Popullit’, se Albin Kurti e Glauk Konjufca qëndrojnë së bashku me Sadri Ramabajën prapa organizatës ‘Syri i Popullit’, Hoxha ka thënë se do të presin procesverbalin e seancës.

‘Unë e kam dëgjuar një deklarim të tillë, por ne duhet të presim procesverbalin si shënim zyrtar i seancës dhe pastaj do të analizojmë se çfarë mund të bëjmë në drejtim të zbardhjes së këtyre deklaratave dhe të shohim se a ka ndonjë element për të nisur hetim apo jo, pasi që deklaratat janë thanë para gjykatës dhe para auditoriumit të pranishëm”, ka thënë Hoxha për Kallxo.com.

Presidenti Hashim Thaçi, kryeparlamentari Kadri Veseli, nënkryetari i Kuvendit, Xhavit Haliti, deputeti Faton Topalli, e ish-ministri i Drejtësisë, Hajredin Kuçi ishin personalitetet të cilat ishin dëshmitarët e sotëm në rastin e gjykimit të grupit të njohur “Syri i Popullit”, të cilët akuzohen për plagosjen e Azem Vllasit.

Presidenti Hashim Thaçi gjatë dëshmisë së tij kur ishte pyetur se kush janë themeluesit e “Syrit të Popullit”, ka përmendur emrat e Albin Kurtit, Sadri Ramabajës dhe Glauk Konjufcës.

Dëshminë i pari e filloi Xhavit Haliti, i cili është në mesin e shumë personave të cilët janë gjetur në një listë për likuidim, e cila pretendohet se është hartuar nga organizata “Syri i Popullit”.

Lidhur me organizatën “Syri i Popullit”, Haliti tha se ka dëgjuar nga gazetat, e kur u pyet nga prokurori Special, Sylë Hoxha nëse ishte kërcënuar ndonjëherë nga kjo organizatë, ai tha se disa herë kishte marrë kërcënime nga “Syri i Popullit”.

“Kam pas kërcënime disa herë. E fundit ka qenë një grup që ka dashtë me ba një atentat ndaj meje dhe fatmirësisht miqtë e mi e kanë zbulu por kërcënimet para luftës, gjatë dhe pas luftës kanë qenë të shumta nga të pakënaqurit me veten e tyre”, tha Haliti

Xhavit Haliti u pyet edhe nëse i bashkëngjitet ndjekjes penale ndaj të akuzuarve, lidhur me çka ai tha se është i pajtimit “që krimi të ndiqet penalisht”.

E njëri nga të akuzuarit Avni Llumnica, gjatë seancës, e pyeti Xhavit Halitin se a ka marrë pjesë në të kaluarën në demonstrata “për shtet me rend dhe ligj apo për kolltuk dhe një pagë të majme”.