Sytë dhe veshët drejt El Clasicos

Sytë dhe veshët e botës janë drejtuar nga kryeqyteti spanjoll, ku në orën 13:00 do të luhet përballja mes 2 prej skuadrave më të mëdha të globit, Realit të Madridit dhe Barcelonës. Pavarësisht orarit të pazakontë, El Clasico pritet të tërheqë vëmendjen e qindra milionë njerëzve nga e gjithë bota, ndërsa nga harta globale e transmetimit, mungojnë vetëm 4 shtete.

Kjo do të jetë El Clasico e 175-të, që luhet në La Ligën spanjolle, me madrilenët që kanë fituar 72, katalanët 69 dhe 33 kanë përfunduar në barazim. Në total, në të gjitha kompeticionet, por edhe takimet miqësore, të dy skuadrat janë përballur 269 herë dhe dominimi është i Barcelonës me 111 fitore, kundrejt 99 të madrilenëve.

Përveç madhështisë së 2 skuadrave, një tjetër duel e ka rritur ‘magjinë’ e kësaj përballjeje në 8 vitet e fundit. Bëhet fjalë për dy prej futbollistëve më të mirë të globit, Cristiano Ronaldo dhe Lionel Messi, të 2 fitues 5 herë të Topit të Artë dhe liderë në skuadrat respektive. Të dy këta futbollistë i kanë dhuruar plot 41 gola El Clasicos, 14 asiste dhe plot numra spektakolarë.

Katalanët e Valverdes vijnë në këtë takim si kryesues të kampionatit spanjoll, me 42 pikë, 6 më shumë se Atletico e vendit të dytë dhe 11 më shumë se Reali i Madridit (madrilenët kanë luajtur një takim më pak). Pikërisht për këtë arsye, kjo El Clasico është deçizive për skuadrën e Zidanes, pasi një humbje në ‘Santiago Bernabeu’ do t’i nxirrte përfundimisht nga lufta për titull, ndërsa 3 pikët do t’i rikthenin plotësisht në garë./ss.al