Takohen Thaçi e ambasadori amerikan, pajtohen për largimin e disa pengesave

Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi dhe ambasadori i SHBA-së, Philip S. Kosnett, në takimin e sotëm të rregullt javor kanë biseduar për tema të ndryshme të interesit të përbashkët. Presidenti Thaçi ka theksuar se miqësia me SHBA-në është e përhershme dhe thelbësore për realizimin e qëllimeve tona strategjike për integrim në strukturat euroatlantike. “Kosova dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës ndajnë vlera, parime dhe synime të përbashkëta. Në këtë rast, synimi ynë i përbashkët është të ndërtojmë paqe e stabilitet të qëndrueshëm në Kosovë dhe në rajon, si parakusht për zhvillim e prosperitet të vendit tonë. Çelës për paqen është arritja e një marrëveshjeje paqësore, gjithëpërfshirëse dhe përfundimtare në mes të Kosovës dhe Serbisë”, ka thënë presidenti Thaçi. Presidenti Thaçi dhe ambasadori Kosnett u pajtuan që vitale është të largohen të gjitha pengesat për vazhdimin e dialogut me Serbinë dhe t’i hapet rrugë marrëveshjes paqësore. “Partneriteti dhe miqësia me Shtetet e Bashkuara të Amerikës është jetësor për Kosovën. Kosova ka arritur kaq larg falë përkrahjes së gjithanshme të Shteteve të Bashkuara”, ka theksuar presidenti Thaçi.