“Të gjitha rrugët të çojnë në Romë”, harta e re zbulon kilometra të tërë

Një thënie e famshme thotë “të gjitha rrugët të çojnë në Romë” dhe duket se këto rrugë zgjateshin 50% më shumë sesa dihej më parë, sipas një atlasi të ri të prezantuar të enjten.

Atlasi i fundit i madh i rrugëve të Romës së lashtë u botua para 25 vjetësh. Që atëherë, përparimet e teknologjisë dhe burimet e reja kanë zgjeruar aftësinë e kërkuesve për të gjetur shtigjet e lashta.

Në pesë vite, një ekip arkeologësh gërmuan të dhënat historike, shkrimet e lashta, vendet dhe të dhënat e tjera arkivore. Ata kërkuan për të dhëna në imazhet satelitore dhe ajrore përmes fotove tashmë të dixhitalizuara e të shkrepura gjatë Luftës së Dytë Botërore.

Kur të dhënat tregonin për rrugë të humbura në një zonë të caktuar, ata analizonin terrenin nga sipër për të gjetur gjurmë si ndryshimet e zbehta në bimësi, variacionet e tokës ose ndryshimet e nivelit që tregonin ku shtriheshin dikur rrugët romake.

Harta e re plotëson imtësitë si “rrugët dytësore, rrugët e fshatit që lidhnin vilat dhe fermat.”

Më parë, shkencëtarët kishin përcaktuar që rrugët romake shtriheshin në 188,555 kilometra. Me këtë zbulim, arrijnë thuajse në 300 mijë kilometra rrugë të Perandorisë Romake që lejonte lëvizjen nga Spanja në Siri.

Studimi solli njohuri të reja për rrugët e lashta në Afrikën e veriut, Francës dhe gadishullin e Peloponezit.

Ajo që nuk dihet ende, është nëse rrugët kanë qenë njëkohësisht të gjitha të hapura dhe aktive.

Inxhinieria romake për të ndërtuar dhe mirëmbajtur rrugë, përfshirë urat e gurta me hark dhe tunelet në kodra, ende formësojnë gjeografinë dhe ekonominë e Mesdheut e më tej.