Të paktën tre palestinezë janë vrarë dhe shtatë të tjerë janë plagosur gjatë sulmeve izraelite të kryera gjatë natës në zona të ndryshme të Rripit të Gazës, në shkelje të armëpushimit të tetorit mes Izraelit dhe Hamasit, bëjnë të ditur burime mjekësore.
Sipas burimeve për Al Jazeera, bastisjet izraelite kanë shënjestruar Rafahun dhe Khan Younisin në jug të Gazës, lagjen Zeitoun në juglindje të qytetit të Gazës, si dhe zona të tjera në mbarë enklavën e rrethuar.
Në një nga sulmet, një dron izraelit (quadcopter) vrau një burrë palestinez teksa po transportohej drejt spitalit në Khan Younis, thanë burime mjekësore. Agjencia palestineze e lajmeve Wafa raportoi se dy persona të tjerë u vranë nga zjarri i ushtrisë izraelite në lindje të lagjes Zeitoun.
Wafa njoftoi gjithashtu për bombardime artilerie në pjesët lindore të lagjeve Tuffah dhe Zeitoun në qytetin e Gazës, si dhe të shtëna nga automjete ushtarake izraelite. Sipas të njëjtës agjenci, avionët izraelitë bombarduan zona në lindje të kampit të refugjatëve Bureij në Gazën qendrore, si dhe në Jabalia dhe Beit Lahia në veri, ndërsa anijet luftarake izraelite goditën zonat bregdetare veriore.
Korrespondenti i Al Jazeera-s në Gaza City, Tareq Abu Azzoum, tha se situata po përshkallëzohet me shpejtësi. “Dëgjojmë vazhdimisht dronë izraelitë mbi qytetin e Gazës dhe zonat lindore, ku sulmet vazhdojnë edhe përtej vijës së verdhë të dakordësuar si kufi i armëpushimit,” tha ai.
Ai shtoi se po ndodh një shkatërrim masiv i ndërtesave në Rafah, Khan Younis dhe kampin e refugjatëve Jabalia, duke ngritur pikëpyetje nëse këto veprime synojnë sigurinë apo riformësimin territorial nën mbulesën e armëpushimit, për të fituar avantazh në fazën e dytë të negociatave.
Ndërkohë, ushtria izraelite deklaroi se forcat e saj kanë vrarë tre palestinezë në jug dhe veri të Gazës, duke pretenduar se ata përbënin kërcënim për trupat izraelite. Nuk është e qartë nëse këto raste lidhen me viktimat e raportuara nga burimet palestineze.
Në një zhvillim tjetër tragjik, një foshnjë palestineze shtatëditëshe humbi jetën të shtunën për shkak të të ftohtit ekstrem, në kushtet e përkeqësimit të krizës humanitare si pasojë e bllokadës izraelite. Mahmoud al-Aqraa ndërroi jetë në Deir el-Balah, në Gazën qendrore, ndërsa temperaturat kanë rënë ndjeshëm dhe mungojnë mjetet bazë të ngrohjes. /mesazhi







