Të verbër dhe miopë

Hoxhë Justinian Topulli

Masakra dhe gjenocidi në Gaza vazhdon akoma dhe do të vazhdojë, jo se shteti sionist është i pandalshëm, por se qeveritë e atyre vendeve që mund ta ndalin atë, kanë zgjedhur të shohin vetëm me njërin sy, me syrin e sionistëve, që e nisin dhe e përfundojnë historinë më datë 7 tetor 2023.
Ndërkohë, ka disa të tjerë që shohin me dy sy, por këta, në emër të barazisë dhe objektivitetit që pretendojnë, kanë zgjedhur të shohin se ajo që ka bërë rezistenca palestineze, është e barabartë ose e ngjashme me atë që po bën shteti sionist.
Sigurisht që asnjëri prej këtyre nuk është as i verbër dhe as miop, por ata kanë zgjedhur të shohin në këtë mënyrë, sepse e vërteta iu dhemb, iu verbon sytë dhe është aq ekstreme, sa e kanë të pamundur ta përballojnë, ndaj zgjidhja më e mirë është të sillen si të verbër ose miopë, për të shkarkuar ndërgjegjen nga një barrë që nuk duan ta mbartin.
Me sytë e tyre shohin edhe mijëra e miliona të tjerë, të cilët u kanë besuar dhe u besojnë me naivitet pikërisht syve të këtyre “të verbërve” dhe “miopëve” që i udhëheqin, që i informojnë, e që u formojnë opinionin si ushqim gati për të ngrënë.
Për aq kohë sa, këto elita të verbra dhe miope, me zgjedhje, nuk do të dëshirojnë ta shohin të vërtetën e plotë, jo vetëm që do t’ia zgjasin lëngatën palestinezëve në veçanti dhe muslimanëve në përgjithësi, por do të prodhojnë pandërprerë armiq. Ndoshta ky është edhe qëllimi i atyre që nuk iu intereson në thelb e vërteta, por vetëm mbijetesa e qytetërimit të tyre të kalbur.

Nga: Hoxhë Justinian Topulli