Tentoi të hynte në Shqipëri, arrestohet 50 vjeçari serb i cili ishte në kërkim ndërkombëtar

Policia e Shtetit ka njoftuar se ka arrestuar një 50 vjeçar nga Serbia, i cili ishte në kërkim ndërkombëtar.

Policia njofton se ai kishte tentuar të hynte në Shqipëri, transmeton Telegrafi.

“Tentoi të hynte në Shqipëri, ndërkohë që ishte i shpallur në kërkim ndërkombëtar, nga autoritetet e Gjermanisë, për falsifikim të dokumenteve dhe përvetësim të sendeve të vjedhura, kryer në formën e grupit kriminal, arrestohet me qëllim ekstradimin, 50-vjeçari nga Serbia. Krahas angazhimit maksimal për të ofruar shërbim cilësor, të shpejtë dhe me etikë, për qytetarët në hyrje/dalje të vendit, shërbimet e Policisë Kufitare të PKK Morinë kanë vijuar punën për goditjen e paligjshmërive në kufi, si dhe për ndalimin e shtetasve që sinjalizohen si të shpallur në kërkim dhe tentojnë të hyjnë apo të dalin nga kjo pkk”, thuhet në njoftim.

Tutje, policia shton se në këtë kuadër, në bashkëpunim me shërbimet e Drejtorisë Vendore të Policisë Kukës dhe si rezultat i shkëmbimit të informacioneve ndërmjet Interpol Tiranës dhe Interpol Berlin, u ndalua dhe u vu në pranga, me qëllim ekstradimin drejt Gjermanisë, shtetasi i kërkuar ndërkombëtarisht I. B., 50 vjeç, banues në Serbi.

Policia bën të ditur se, gjatë verifikimeve dhe intervistimit në vijë të dytë, në hyrje të vendit, rezultoi se 50-vjeçari ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Interpol Berlin, për veprat penale “Falsifikimi i dokumenteve” dhe “Përvetësimi i sendeve të vjedhura”, kryer në bashkëpunim më shumë se një herë, në formën e grupit kriminal, sipas parashikimeve të legjislacionit penal të Gjermanisë.

Interpol Tirana, në bashkëpunim me homologët në Gjermani, vijon procedurat për ekstradimin e 50-vjeçarit.