Teoria e Luftës së Drejtë dhe rehabilitimi i rolit të agresorit

Lulzim Hoxha

Pas fundit të luftës së ftohtë, për justifikimin e Luftës së Drejtë janë përdorur më së shumti motivet humanitare. Rasti i ndërhyrjes së NATO-s në luftën e Kosovës është shembulli më tipik i një iniciative luftarake për arsye humanitare. Shumë ekspertë perëndimorë të së drejtës kanë theksuar se bombardimet në Beograd ishin të paligjshme, por kishin një justifikim moral. Pra, bombardimi i Beogradit ishte i paligjshëm, por legjitim.

Shkruan: Lulzim HOXHA, Tiranë

Muaji maj shënon dy momente tepër delikate për dy shtetet me shumicë shqiptare. Por, nëse në rastin e Shqipërisë zgjedhjet lokale të 14 majit po ngjallin një mospërfillje masive, sidomos në Tiranë (kryesisht për shkak se kryetari aktual i Bashkisë konsiderohet nga shumëkush si i vetmi kandidat që mund t’i fitojë zgjedhjet), krejt ndryshe paraqitet situata në Prishtinë ku pak javë më parë pati një protestë masive në mbrojtje të ish-krerëve të UÇK-së, të cilët pritet të gjykohen në Hagë për krime të pretenduara lufte kundër njerëzimit. Teksa në Tiranë popullariteti i emisionit Big Brother duket se e ka “fshirë” nga realiteti periudhën parazgjedhore, në Prishtinë reagimi publik i qytetarëve, kryeministrit dhe mbarë shoqërisë duket se kanë sjellë një mobilizim politik të përbashkët, pavarësisht kaheve politike, në mbështetje të heronjve që i bënë qëndresë okupatorit. Ajo çka e bën të paprecedentë këtë proces gjyqësor është fakti se hetimi ndaj ish-krerëve të UÇK shënon të vetmin rast në botë në të cilin po hetohen krimet e ushtrisë që po i bënte qëndresë pushtimit dhe jo ato të ushtrisë pushtuese, ku në vitin 1999 pikërisht për arsye të gjenocidit ndaj shqiptarëve u vendos edhe ndërhyrja ushtarake e NATO-s. Sot Serbia ende nuk i pranon krimet ndaj shqiptarëve, teksa vijon lobimin e saj ndërkombëtar për ta konsideruar UÇK si organizatë terroriste dhe për ta deligjitimuar gjithë misionin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Asokohe ish Presidenti amerikan Clinton, në reagim të ngjarjeve në Kosovë të vitit 1999, deklaronte se: “Rasti i Kosovës është një sulm i drejtpërdrejtë ndaj çdo parimi që ne mbështesim. Përpara dy muajsh në Kosovë kishte 1.8 milionë shtetas etnikisht shqiptarë. Tashmë gati 1.5 milionë janë detyruar t’i braktisin shtëpitë, vendbanimet e tyre i kanë djegur dhe shumë njerëz i kanë rrëmbyer e i kanë vrarë.” Masakra e ushtrisë serbe gjatë atyre viteve është transmetuar vazhdimisht në mediat amerikane, duke i justifikuar kështu bombardimet e NATO-s në Beograd dhe njëherësh duke e portretizuar këtë ndërhyrje si një luftë të drejtë në mbrojtje të jetës së njerëzve që nuk i kishin mundësitë të mbroheshin vetë kundrejt këtij agresioni.

Po ta vëzhgojmë nga një perspektivë historike konceptin e Luftës së Drejtë (Just War), rezulton se përpjekjet për t’i dhënë luftës një kauzë morale janë po aq të hershme sa edhe vetë luftërat. Të dhënat historike mbi Luftën e Drejtë, madje edhe në luftërat më arkaike të së shkuarës, dëshmojnë disa konsiderata morale mbi luftëtarët të tilla si vetëpërmbajtja, nderi dhe respekti për viktimat. Ato gjithashtu përfshijnë mënyrën e trajtimit të grave, fëmijëve, të burgosurve dhe civilëve në tërësi. Të gjithë këta elementë ishin përcaktues të nderit ose mungesës së nderit në luftim, ku kryesisht në kulturat paramoderne nderi përbënte një ndër vlerat më të rëndësishme në shoqëri. Referenca mbi Luftën e Drejtë mund të gjenden edhe në Bibël kur flitet mbi sjelljen etike në luftë dhe parimin e kauzave të drejta. Në librin e tij Summa Theologicae, Shën Thoma Akuini ka paraqitur një përmbledhje të asaj çka më vonë do të bëhej pjesë e universiteteve të epokës moderne dhe do të njihej si Teoria e Luftës së Drejtë. Në këtë vepër ai trajton jo vetëm luftën e moralshme, por edhe aktet e lejueshme në luftë dhe ato moralisht të palejueshme. Sipas Akuinit, Lufta e Drejtë duhet të përmbajë tri kritere thelbësore: së pari, lufta duhet të deklarohet vetëm nën udhëheqjen e një sovrani legjitim. Së dyti, lufta mund të niset vetëm për një kauzë të drejtë, si për shembull ndaj dëmeve që ka shkaktuar ndonjë agresor i caktuar. Së treti, ata që nisin një luftë të drejtë duhet të udhëhiqen nga qëllime të virtytshme të tilla si promovimi i së mirës dhe ndalimin e së keqes. Në shekullin e njëzet, teoria e Luftës së Drejtë ka pasur zhvillime të reja, kryesisht si rrjedhojë e shpikjes së formave të reja të legjitimitetit të tilla si “çlirimi i popujve nga tirania” gjatë luftës së ftohtë (rasti i ndërhyrjes ushtarake të SHBA në Vietnam apo Kore) apo “prodhimi i armëve bërthamore nga regjime autoritare” (rasti i ndërhyrjes amerikane në Irak). Është e kuptueshme se strategjia e Luftës së Drejtë mund të përdoret dhe instrumentalizohet për arsye të ndryshme, por shtetet që priren më tepër ta përdorin këtë moralizim të luftës duke e shfaqur si mundësinë e vetme në parandalimin e “së keqes” janë përgjithësisht shtetet hegjemone ose të ashtuquajturat “superfuqi” të epokës. Krijimi i një sfondi moral për luftën bëhet më i lehtë kur farkëtohet në mënyrën më të qartë të mundshme përfytyrimi i pafuqisë së viktimave. Megjithatë, pas fundit të luftës së ftohtë, për justifikimin e Luftës së Drejtë janë përdorur më së shumti motivet humanitare. Rasti i ndërhyrjes së NATO-s në luftën e Kosovës është shembulli më tipik i një iniciative luftarake për arsye humanitare. Shumë ekspertë perëndimorë të së drejtës kanë theksuar se bombardimet në Beograd ishin të paligjshme, por kishin një justifikim moral. Pra, bombardimi i Beogradit ishte i paligjshëm, por legjitim. Kësisoj, nëse ligji nuk mund të ndihmojë në misionin e shpëtimit të jetës së njerëzve, ndërhyrja ushtarake amerikane në Serbi demonstroi se kauzat humanitare e tejkalojnë rëndësinë e zbatimit të ligjit. Në këtë kuptim, Lufta e Drejtë është një sipërmarrje politike e cila shpeshherë kalon përtej kufijve ligjor, sidomos kur bëhet fjalë për një rrezik imediat.

Si mund të ketë një Luftë të Drejtë kur agresori trajtohet si viktimë? Hetimi i ish-liderëve të UÇK, të cilët deri përpara pak vitesh kanë qenë krerët e dy prej partive politike më të rëndësishme në vend, paraqet rastin e rrallë të delegjitimimit të një Lufte të Drejtë. Nga këtu lind pyetja se sa e drejtë mund të konsiderohet një luftë përderisa Gjykata Speciale po merret me hetimin e ish-liderëve të ushtrisë që po mbronte vendin nga okupatori? Po ta shohim transformimin e ligjërimit të ndërkombëtarëve mbi luftën në Kosovë, duket se kemi të bëjmë me një proces që gradualisht përgjatë 20 viteve të fundit, Ushtria Çlirimtare e Kosovës është kthyer nga një organizatë që luftonte për mbrojtjen e vendit, në një organizatë terroriste. Nëse në fillim të viteve 2000, etiketimi i UÇK si organizatë terroriste deklarohej vetëm nga shteti serb, deklaratat e mëtejshme të prokurores Carla del Ponte, raporti i Dick Marty dhe hetimi i Gjykatës Speciale nisën t’i relativizojnë krimet e ushtrisë serbe duke e konsideruar Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës si “bashkëfajtore në krim”. Sipas kësaj perspektive, tanimë mund të dilet në përfundimin se Lufta e Drejtë u krye vetëm nga NATO për t’i dhënë fund një lufte ku të dy palët (si ushtria e Kosovës ashtu edhe ajo e Serbisë) po masakronin reciprokisht popullsinë civile të njëri-tjetrit. Për më tepër, duke qenë se gjyqi ndaj ish-liderëve të UÇK po ndodh në një moment tepër të tensionuar politik ndërmjet dy vendeve në kuadër të zgjedhjeve të 23 prillit për komunat serbe në Kosovë, kjo vetëm sa i forcon më shumë pozitat e Serbisë për sa kohë bashkë me gjyqin ndaj Thaçit, Veselit, Selimit dhe Krasniqit po vendos përpara bankës së të akuzuarve jo vetëm aktivitetin e këtyre ish-liderëve gjatë luftës, por edhe të vetë kauzën kombëtare të pavarësisë së Kosovës. Pavarësisht se kohët e fundit në deklaratat e tyre zyrtare, ndërkombëtarët janë përpjekur ta shkëpusin gjyqin ndaj këtyre liderëve nga gjyqi kundrejt kauzës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ngjarjet e këtyre muajve, qysh nga marrëveshja mbi targat e deri te pranimi i asociacionit të komunave serbe, kanë sjellë dhe risjellë vazhdimisht në vëmendje faktin se në qëndrimet e ndërkombëtarëve, raportet e Kosovës me Serbinë duhen kthyer me çdo kusht në raporte të fqinjësisë së mirë. E raportet e fqinjësisë së mirë, në këtë kuptim, mund të ndërtohen vetëm duke rehabilituar persekutorin dhe duke i hequr viktimës kauzën e saj të drejtë. Ndryshe nga ndërhyrja e NATO-s në Beograd në 1999-ën, që nga shumë ekspertë të së drejtës ndërkombëtare u cilësua si e paligjshme por legjitime, tanimë marrëdhëniet Kosovë-Serbi po synohet të kthehen në ligjërisht të pranueshme, ndonëse jo legjitime. /revistashenja