Ballina Lajmet Rajon dhe Botë Tërmeti në Iran, 2 të vdekur dhe qindra të plagosur

Tërmeti në Iran, 2 të vdekur dhe qindra të plagosur

Të paktën 2 persona e kanë humbur jetën ndërsa 241 të tjerë janë plagosur si pasojë e tërmetit prej 5,9 ballë sipas Rihterit që goditi qarkun Tazeabad pranë provincës Kermanshah të Iranit, transmeton Anadolu Agency (AA).

Instituti i Ndërhyrjes Emergjente të Iranit deklaroi se si pasojë e tërmetit që ndodhi në qarkun Tazeabad dy persona kanë humbur jetën ndërsa 241 të tjerë janë plagosur.

Në një deklaratë nga Qendra Sizmologjike e Universitetit të Teheranit thuhet se tërmeti prej 5,9 ballësh është regjistruar në një thellësi prej 8 kilometrash.

Ndërsa në lajmin e publikuar në televizionin shtetëror të Iranit thuhet se zëvendëspresidenti i parë Eshaq Jahangiri ka marrë informacione nga zyrtarët në lidhje me çështjen dhe ka udhëzuar Institutin për Ndërhyrje Emergjente që t’i përmbushë nevojat e qytetarëve. Më tej thuhet se 41 ekipe për kërkim dhe shpëtim vazhdojnë punën në rajon.

Tërmeti është ndjerë edhe në Azerbajxhanin Perëndimor dhe provincën Kurdistan dhe se qytetarët kanë kaluar natën jashtë.

Bëhet e ditur se tërmeti është ndjerë edhe në kryeqytetin irakian, Bagdad, si dhe në qytetet Halabja, Sulejmanije dhe Erbil të Administratës Rajonale Kurde të Irakut.

Në tërmetin 7,3 ballë i cili goditi rajonin kufitar misis Irakut dhe Iranit më 12 nëntor të vitit 2017, në provincën Kermanshah të Iranit humbën jetën 620 persona.