Kryetari i Bashkësisë Islame të Kosovës, Myftiu Naim ef. Tërnava, ka pritur sot në takim ambasadorin e Republikës së Turqisë në Kosovë, Tunc Angılı.
Me këtë rast, ambasadori Angılı e uroi Myftiun Tërnava dhe nëpërmes tij gjithë besimtarët myslimanë në Kosovë për muajin e bekuar Ramazan, duke u dëshiruar agjërim të lehtë dhe të pranuar.
Nga ana e tij, Myftiu Tërnava e falënderoi ambasadorin për vizitën dhe për urimet e përcjella, duke shprehur mirënjohje të thellë për shtetin mik turk për ndihmat e vazhdueshme që ka dhënë për popullin e Kosovës, e në veçanti për përkrahjen dhe ndihmat e ofruara në fillim të muajit Ramazan.
Gjatë takimit, u vlerësua lart bashkëpunimi i deritanishëm ndërmjet Bashkësisë Islame të Kosovës dhe institucioneve të Turqisë, duke theksuar rëndësinë e forcimit të mëtejmë të këtij bashkëpunimi në fusha me interes të përbashkët, në shërbim të besimtarëve dhe të shoqërisë në përgjithësi.








