Thaçi dhe Haradinaj arrijnë në Berlin, tregojnë se për çfarë është e interesuar Kosova

Presidenti i vendit, Hashim Thaçi si dhe kryeministri Ramush Hardinaj tashmë kanë arritur në Berlin, për të marrë pjesë në takimin e liderëve të Ballkanit.

Me të arritur në Berlin, Thaçi ka deklaruar se ecja përpara drejt integrimeve evropiane është shumë e rëndësishme për Kosovën dhe tërë rajonin, shkruan Indeksonline.

Kurse kryeministri Haradinaj tha se Kosova është e interesuar dhe e përkushtuar për dialog, paqe dhe stabilitet në rajon e më gjerë.

Tutje i njëjti tha se takimi i nesërm është mundësi e mirë që liderët e rajonit të flasim hapur për sfidat dhe aspiratat e përbashkëta drejt rrugës euro – atlantike .

Postimi i Thaçit:

Sapo arritëm në Berlin për samitin e nesërm me kancelaren Merkel, presidentin Macron dhe liderët e shteteve të Ballkanit Perëndimor. Ecja përpara drejt integrimeve evropiane është shumë e rëndësishme për Kosovën dhe tërë rajonin tonë! HTH

Postimi i plotë i Haradinajt:

Me ftesë të Kancelares gjermane Angela Merkel dhe presidentit francez Emmanuel Macron, sapo arrita në Berlin, për të marrë pjesë në Takimin e Nivelit të Lartë të Liderëve të Ballkanit Perëndimor. Ky takim është një mundësi e mirë që liderët e rajonit të flasim hapur për sfidat dhe aspiratat e përbashkëta drejt rrugës euro – atlantike.

Kosova në vazhdimësi ka luajtur rol konstruktiv dhe të përgjegjshëm karshi detyrimeve të saja për fqinjësi të mirë dhe në përputhje me vlerat evropiane.

Kosova është e interesuar dhe e përkushtuar për dialog, paqe dhe stabilitet në rajon e më gjerë, gjithmonë duke respektuar vetëveten dhe vlerat e përbashkëta euro-atlantike, duke ruajtur integritetin territorial dhe partneritetin me aleatët e përhershëm të saj!

RH