Ballina Artikuj Thirrje për Bamirësi në Ramazan 🕌 Investoni në Edukim 📖

Thirrje për Bamirësi në Ramazan 🕌 Investoni në Edukim 📖

Hoxhë Vladimir Kera

Mungesa e njerëzve të formuar mirë është ndër krizat më të mëdha të kohës sonë. Edukimi nuk mjafton të përmendet; ai kërkon vizion, planifikim dhe projekte konkrete që prodhojnë rezultate afatgjata.
Muslimanë të pasur, hapni fillimisht horizontet, pastaj edhe zemrat dhe pasurinë tuaj. Kërkoni të rinjtë premtues në komunitetin tuaj, vlerësoni aftësitë dhe potencialin e tyre (edhe me ndihmë profesionale, nëse është e nevojshme), dhe përkushtohuni në këto tri drejtime kryesore:
Bursë për Studime dhe Udhëtime
Mbështesni studime universitare dhe formime të specializuara. Financoni udhëtime studimore në vende të ndryshme të botës, në mënyrë që të rinjtë të njohin më mirë historinë, kulturën dhe realitetin tonë.
Vendosni si kusht që, pas kthimit, të paraqesin një raport ose ligjëratë ku ndajnë përvojat dhe njohuritë e fituara.
Bursë për Libra
Siguroni fonde të posaçme për blerjen e librave cilësorë. Ndihmoni të rinjtë të ndërtojnë bibliotekat e tyre personale dhe të marrin pjesë në panaire librash ndërkombëtare.
Investimi në libra është investim në mendje që mendojnë thellë dhe veprojnë me përgjegjësi.
Bursë për Mësimin e Gjuhëve
Financoni mësimin e gjuhëve të huaja brenda dhe jashtë vendit. Mbështesni programe intensive që u mundësojnë të rinjve: të përkthejnë vepra të rëndësishme në gjuhën tonë, të na përfaqësojnë në forume ndërkombëtare, të kontribuojnë në prodhimin e literaturës cilësore në vend.
Njohja e gjeografisë, formimi i mendjeve të ndritura dhe përhapja e diturisë
Këto fusha kërkojnë mbështetje urgjente nga muslimanë vizionarë, mendjehapur dhe të përkushtuar në bamirësi.
Nëse pyesni: Si t’i gjejmë të rinjtë e duhur?
Është më e lehtë sesa duket. Kërkoni me kujdes, vëzhgoni angazhimin, karakterin dhe etjen për dije. Talentet janë mes nesh, presin vetëm një dorë që t’i mbështesë.
Le të bëhemi sebep për një brez të ndritur. 🤲

Hoxhë Vladimir Kera