Ballina Lajmet Rajon dhe Botë Thomas Piketty: Miliarderët, të ardhme të tmerrshme për ne!

Thomas Piketty: Miliarderët, të ardhme të tmerrshme për ne!

Thomas Piketty

Ekonomisti francez, mbi luftën kundër pabarazisë prej ndryshimeve klimatike

Pjesa më e madhe e popullsisë së planetit me të ardhura të barasvlershme me 5.000 euro në muaj deri në vitin 2100, ose gati 5.600 dollarë. Temperaturat mesatare vetëm 1.8 gradë Celsius mbi nivelet paraindustriale.

Më pak mish, industri dhe veprimtari minerare, por më shumë shëndetësi dhe arsim. Kush do të humbiste nga ky ndryshim? Miliarderët e botës, si Jeff Bezos, Larry Ellison dhe Elon Musk.

Një grup fare i vogël super të pasurish, që përbën vetëm 0.001 për qind të popullsisë botërore, do ta shihte pjesën e vet të pasurisë globale të binte nga 6.4 për qind që zotëron sot në vetëm 0.05 për qind. Ndërkohë, gjysma më e varfër e njerëzimit do ta rriste pjesën e saj të pasurisë nga vetëm 2 për qind në 30 për qind.

Këto janë projeksionet e Projektit për Drejtësi Globale (Global Justice Project), të hartuara nga një ekip prej 200 studiuesish. Përmes këtij raporti, ekonomisti francez Thomas Piketty dhe 44 bashkautorët e tij synojnë të paraqesin një alternativë ndaj së ardhmes distopike, me përmbytje, zjarre, zotërinj dhe skllevër, që inteligjenca artificiale, pabarazia dhe ndryshimet klimatike duket se po përgatisin për njerëzimin. Piketty, 55 vjeç, shpjegoi në një intervistë me videolidhje për gazetën EL PAÍS bazat e këtyre përfundimeve.

A është e mundur të arrihen këto shifra, apo janë thjesht një ideal drejt të cilit duhet të synojmë?

Ne ofrojmë një grup mjetesh për të menduar mbi rrugët e mundshme të zhvillimit, duke paraqitur përmasa të përafërta dhe jo shifra të sakta. Edhe këto përmasa mund të ndryshojnë përmes një procesi më demokratik vendimmarrjeje.

Po përpiqemi ta marrim seriozisht aspiratën e vendeve të Jugut global për mirëqenie dhe begati. Mesazhi kryesor është se një mirëqenie e përbashkët është e mundur, por me disa kushte.

Nuk mjafton një kalim gradual drejt një ekonomie me emetime të ulëta karboni, përmes transformimit të sistemit energjetik. Duhet gjithashtu të zvogëlojmë pabarazinë dhe të përqafojmë atë që e quajmë “mjaftueshmëri”: orar më të shkurtër pune, ndryshim të zakoneve ushqimore dhe zhvendosje të vëmendjes nga industria dhe nxjerrja e mineraleve drejt sektorëve jomaterialë. S’ka nevojë që secili të ketë dhjetë iPhone.

Projekti është kritikuar si utopik…

Është e vështirë të realizohet, por cila është alternativa? Të gjitha skenarët do të jenë të ndërlikuar. Për shembull, nëse ruajmë ruajmë pabarazinë mes Afrikës dhe Evropës, a do të vendosim miliona dronë përgjatë Mesdheut për një shekull të tërë?

Vazhdimi i gjithçkaje si më parë nuk është alternativë. Më shumë nxjerrje të lëndëve djegëse fosile, më shumë pabarazi ekonomike dhe shoqërore, konflikte për territore dhe burime natyrore, si dhe kufij gjithnjë e më të militarizuar.

Sepse nuk po çmendert vetëm presidenti amerikan Donald Trump. Edhe Evropa po shkon në të njëjtin drejtim. Apo beson dikush vërtet se një strategji e besueshme është kthimi te familja tradicionale, me shpresën që gratë të qëndrojnë në shtëpi, të lindin më shumë fëmijë dhe kështu të rritet lindshmëria në Evropë?

Raporti këmbëngul se sfida kryesore nuk është teknike, por politike. Pra krijimi i një koalicioni ndërkombëtar…

Bashkëpunimi ndërkombëtar është i vështirë, por po aq të vështira janë edhe konfliktet për territore dhe burime. Rruga që propozojmë nuk është e lehtë, por krahasuar me alternativat, është më e dëshirueshmja dhe gjithashtu më e realizueshmja.

Një botë e përfshirë nga konfliktet për burimet, ku pabarazia rritet brenda vendeve dhe mes tyre, çon drejt shembjes së institucioneve demokratike. Shtetet përfundojnë duke shpenzuar më shumë për ushtrinë sesa për arsimin, shëndetësinë apo infrastrukturën energjetike me emetime të ulëta karboni. Dhe kjo nuk zgjidh asnjë nga problemet tona.

Në ç’masë revolucioni socialdemokrat që uli ndjeshëm pabarazinë në Evropë, u bë i mundur nga katastrofa e dy luftërave botërore?

Në shekullin XX, u deshën katastrofa të mëdha për të legjitimuar përgjysmimin e orarit të punës dhe rritjen e shpenzimeve publike që sollën shëndetësinë dhe arsimin universal.

Po t’i propozoje dikujt në vitin 1900 kalimin nga rreth 3.000 orë pune në vit, sa punohej atëherë në Evropë, në 1.500 orët e sotme, do të të përgjigjej se kjo do të sillte shembjen e ekonomisë.

Nuk e dimë nëse katastrofat do të luajnë një rol të ngjashëm në dekadat e ardhshme. Askush nuk e di. Por ajo që dimë është se duhet të diskutojmë rrugë alternative zhvillimi, përpara se të ndodhë një katastrofë tjetër.

Përse është kaq e rëndësishme kjo?

Në kohë krize, shoqëritë duhet të marrin vendime shumë shpejt. Shpesh, në këto rrethana krijojnë institucione dhe zgjidhje të reja, të cilat më parë konsideroheshin të pamundura.

Pikërisht për këtë arsye, idetë që janë debatuar paraprakisht në mënyrë demokratike kanë më shumë gjasa të ndikojnë te vendimmarrja gjatë një krize.

Përpara krizave të mëdha të shekullit XX, sindikatat, partitë, intelektualët dhe studiuesit e shkencave shoqërore kishin diskutuar tashmë për sigurimet shoqërore dhe taksimin progresiv.

Megjithatë, katastrofat nuk janë as kusht i mjaftueshëm dhe as i domosdoshëm për ndryshime të tilla.

Këtë e tregon zhvillimi i shtetit të mirëqenies në Suedi gjatë shekullit XX. Suedia pësoi shkatërrime shumë më të pakta se vendet e tjera evropiane gjatë dy luftërave botërore, por arriti të ndërtonte një sistem të fuqishëm të mbrojtjes sociale.

Suedia u përfshi më pak në luftëra, por klasat e saj drejtuese kishin frikë nga përhapja e komunizmit sovjetik, ashtu si në pjesën tjetër të Evropës. Sot, ky kërcënim është zhdukur.

Sot përballemi me kërcënimin e ngrohjes globale. Konteksti nuk është i njëjtë, por kushtet aktuale janë gjithashtu të këqija për shumë njerëz në mbarë botën. Kërkesa për ndryshim në vendet e Veriut global do të jetë e fortë, por në Jugun global do të jetë edhe më e madhe.

Edhe nëse mobilizimi i ardhshëm nuk organizohet përmes sindikatave të tipit të shekullit XX, ai mund të jetë po aq i fuqishëm. Sindikatat e asaj kohe ishin të forta në disa çështje, por nuk i kushtonin vëmendje të mjaftueshme banueshmërisë së planetit, barazisë gjinore, dëmshpërblimeve për kolonializmin apo diskriminimit racor.

Mobilizimet e ardhshme, do të përqendrohen pikërisht te këto çështje. Një shenjë shumë e rëndësishme e ndryshimit ishte nisma e Brazilit dhe Afrikës së Jugut në samitin e G20-s në vitin 2024, për vendosjen e një takse globale mbi pasurinë.

Megjithatë, propozimi për një taksë globale mbi pasurinë nuk përparoi…

Por reagimi në Evropë dhe madje edhe në Shtetet e Bashkuara nuk ishte një refuzim kategorik. Përgjigjja ishte: “Të shohim se si mund të bëhet!”. Çështja do të rikthehet pas disa vitesh. Vendet e Jugut do të thonë sërish: “Përgjegjësia juaj historike për emetimet është e jashtëzakonshme dhe ne kemi të drejtën të zhvillohemi. Ju duhet të paguani një pjesë të dëmeve klimatike që na keni shkaktuar”.

Këto kosto nuk duhet t’i paguajë qytetari i zakonshëm në Francë apo Spanjë, por ata që ndodhen në majën e piramidës ekonomike dhe që kanë përgjegjësinë më të madhe historike për vendimet e investimeve.

Nëse miliarderët do të kryenin të gjitha investimet e nevojshme në energjinë e pastër, arsim dhe shëndetësi, dhe bota do të bëhej fantastike falë drejtimit të tyre, unë do ishai gatshëm t’i lejoja të vazhdonin të vendosnin për investimet, mediat dhe politikat publike. Por kjo nuk po ndodh. E ardhmja që miliarderët po përgatisin për ne është distopike. /tesheshi