TikTok shpëton nga ndalimi – Trump dhe Xi arrijnë marrëveshje

Presidenti amerikan Donald Trump tha se presidenti kinez Xi Jinping miratoi një marrëveshje që do të lejonte që TikTok të vazhdonte të operonte në SHBA.

Trump vlerësoi Xi për një “bisedë produktive” që përfshinte disa tema, përfshirë miratimin e Xi për një marrëveshje në pritje për të mbajtur aktiv aplikacionin e njohur të videos në pronësi kineze në pajisjet dhe rrjetet amerikane.

Trump nuk publikoi detaje të marrëveshjes dhe nuk ishte menjëherë e qartë se cilat hapa të mëtejshëm ishin të nevojshëm për ta zbatuar atë si në SHBA ashtu edhe në Kinë, shkruajnë mediat e huaja.

“Biseda ishte shumë e mirë, do të flasim përsëri në telefon, vlerësojmë miratimin e TikTok dhe të dy mezi presim të takohemi në APEC!”, tha Trump.

Ndryshe, e ardhmja e aplikacionit ka mbetur një çështje e hapur për muaj të tërë, pasi Trump ka vonuar vazhdimisht zbatimin e një ligji që kërkon që kompania mëmë e TikTok me seli në Kinë të hiqet nga aplikacioni ose të përballet me një ndalim nga SHBA-ja.

Ndërsa zgjatja e fundit ishte caktuar të skadonte të mërkurën, Trump nënshkroi një urdhër ekzekutiv duke shtyrë përsëri zbatimin e ligjit të shitjes ose ndalimit deri më 16 dhjetor.

Edhe pse detaje specifike ende nuk janë njoftuar, disa media kanë raportuar se Oracle, Silver Lake dhe Andreessen Horowitz janë ndër investitorët që janë gati të zotërojnë një entitet të ri amerikan që do të operojë TikTok.