Tirania

Kuptimet nga fjalori për tiraninë janë: të pushtosh me peshë a shifra superiore ose me fuqi të parezistueshme, të shtrihesh në mënyrë të rëndë, të përkulësh (shpirtrat ose imagjinatën etj.), të qeverisësh me tirani, të mbash dikënd me shtypje, të nënshtrosh dikë në mizori a padrejtësi të vazhdueshme.

Sinonimet për tiraninë janë: padrejtësia, mizoria, persekutimi brutal, të nënshtruarit, keqtrajtimi. Antonimet e saj janë: drejtësia, mirëdashja, butësia, mëshira, ndjeshmëria etj.

Termi tirani ose mizori nuk është shpjeguar nga Kurani në mënyrë eksplicite. Në bazë të juristëve islamë, drejtësi do të thotë të mbash një gjë në vendin e saj, të barazosh, t’i japësh njeriut çka i takon me të vërtetë. Kështu, në të kundërtën, shtypja do të nënkuptonte të nxjerrësh një gjë nga vendi i vet dhe ta vësh në një vend ku nuk duhet, të çrregullosh barabarësinë dhe harmoninë apo t’i japësh ndokujt më pak se sa meriton.

Tirania është ndëshkuar ashpër nga Islami në mënyrë të qartë. Tiranët apo shtypësit janë quajtur mëkatarë e keqbërës dhe janë kërcënuar me kërcënim të dhimbshëm. Shembujt e tiranisë të dhëna nga Kurani Famëmadh ngërthejnë: fshehjen e dëshmisë, tejkalimin e kufijve të Allahut, mosshpenzimin nga ajo që ka dhënë Allahu, shpikje të pavërtetash kundër Allahut, gëlltitjen e pasurisë së të tjerëve përmes agresionit dhe mjeteve të padrejta, mohimin e Shpalljeve të Zotit, mosgjykimin në bazë të asaj që ka zbritur Allahu, përshkrimin rival ndaj Allahut, persekutimin e të dobëtve etj.

Argumente nga Kurani

1) “…Kush është më mizor se ai, që e ka dëshminë e Allahut pranë vetes dhe e fsheh? Allahu nuk është i panjoftuar me veprimet tuaja!” (Kuran, 2: 140).

2) “Dhe luftoni ata kudo që t’i zini, dëboni prej vendit ata sikurse ata ju përzunë. Provokimi (fitneja) është më i rëndë se vrasja. Mos i luftoni ata pranë xhamisë së shenjtë (Qabes) deri që ata t’ju luftojnë aty, e nëse ju sulmojnë, atëherë sulmojini edhe ju. I këtillë është ndëshkimi ndaj pabesimtarëve!” (Kuran, 2: 191).

3) “Të pyesin për luftën në muajin e shenjtë, thuaj: “Lufta në të është e madhe (mëkat i madh), por pengimi nga rruga e Allahut, mosbesimi ndaj Tij, pengimi nga xhamia e shenjtë (Qabja) dhe dëbimi i banorëve të saj nga ajo, janë mëkate edhe më të mëdha tek Allahu. E provokimi (kundër muslimanëve) është edhe më i madh se mbytja. Ata do t’ju luftojnë vazhdimisht për t’ju zbrapsur, nëse munden, nga feja juaj. E kush zbrapset prej jush nga feja e tij dhe vdes si pabesimtar, ata i kanë zhdukur veprat e veta në këtë jetë dhe në jetën tjetër. Të tillët janë banorë të Zjarrit dhe në te do të qëndrojnë përjetësisht!” (Kuran, 2: 217).

4) “…Këto janë dispozita të Allahut, pra mos i kundërshtoni, sepse kush i tejkalon dispozitat e Allahut, pikërisht të tillët janë zullumqarët!” (Kuran, 2: 229).

5) “O ju që keni besuar, para se të vijë një ditë kur nuk do të ketë as shitblerje, as miqësi, e as ndërmjetësim, jepni nga ajo me çka Ne ju furnizuam. Pabesimtarët janë mizorë!” (Kuran, 2: 254).

6) “Ai që edhe pas kësaj shpif gënjeshtra kundër Allahut, ata vërtet janë mizorë!” (Kuran, 3: 94).

7) “O ju që besuat, mos e hani mallin e njëri-tjetrit në mënyrë të palejuar, përpos tregtisë në të cilën keni pajtueshmëri mes vete, dhe mos mbytni veten tuaj (duke mbytur njëri-tjetrin) . Vërtet Allahu është i mëshirueshëm për ju. Kush bën këtë (që ndaloi Zoti) qëllimisht dhe tejkalon kufijtë, Ne do ta hudhim atë në një zjarr të fortë. Dhe kjo është lehtë për Allahun!” (Kuran, 4: 29-30).

8) “Kush bën ndonjë të keqe ose e ngarkon veten, pastaj kërkon falje te Allahu, ai e gjen Allahun Falës dhe Mëshirues!” (Kuran, 4: 110).

9) “Allahu nuk do publikimin e shprehjeve të këqija, përveç (publikimit) të atij që i është bërë padrejtësi. Allahu është Dëgjues, i Dijshëm!” (Kuran, 4: 148).

10) “…E kush nuk vendos sipas asaj që zbriti Allahu, ata janë mizorë (të padrejtë)!” (Kuran, 5: 45).

11) “Kush është më mizor se ai që ndaj Allahut shpif gënjeshtra apo ka përgënjeshtruar faktet e Tij? S’ka dyshim, shpifësit dhe gënjeshtarët nuk kanë shpëtim!” (Kuran, 6: 21).

12) “Atyre që po sulmohen me luftë, u është dhënë leje të luftojnë, për shkak se u është bërë padrejtësi, e Allahu ka fuqi t’u ndihmojë atyre (muslimanëve) !” (Kuran, 22: 39).

13) “(përkujtoju popullit tënd) Kur Llukmani duke e këshilluar, birit të vet i tha: “O djali im, mos i përshkruaj Allahut shok, sepse idhujtaria është padrejtësia më e madhe!”!” (Kuran, 31: 13).

Argumente nga Suneti

1. Ibën Omeri (Allahu qoftë i kënaqur prej tij!) rrëfen se Pejgamberi, alejhi selam, ka thënë: “Tirania do të jetë errësirë e madhe në Ditën e Gjykimit!” [Shënon Buhariu dhe Muslimi]

2. Ebu Musa (Allahu qoftë i kënaqur prej tij!) rrëfen se Pejgamberi, alejhi selam, ka thënë: “Allahu i jep afat tiranit (shtypësit) dhe nuk e lëshon, derisa më në fund e zë në befasi. Pastaj recitoi: “I këtillë, pra, është Ndëshkimi i Zotit tënd kur ndëshkon qytetet që bëjnë padrejtësi; me të vërtetë Ndëshkimi i Tij është i dhimbshëm e i rreptë!” [ Shënon Buhariu dhe Muslimi]

3. Sejid ibën Zejdi (Allahu qoftë i kënaqur prej tij!) rrëfen se Pejgamberi, alejhi selam, ka thënë: “Nëse ndokush merr një pëllëmbë dore tokë me tirani, në Ditën e Gjykimit do t’i lidhet në qafë ajo sipërfaqe nga shtatë tokat!” [Shënon Buhariu dhe Muslimi]

4. Enesi (Allahu qoftë i kënaqur prej tij!) rrëfen se Pejgamberi, alejhi selam, ka thënë: “Kurdoherë që lavdërohet ndonjë mëkatar, Allahu i Plotfuqishëm zemërohet dhe për këtë shkak dridhet edhe Arshi i Tij!” [Shënon Bejhakiu]

5. Aliu (Allahu qoftë i kënaqur prej tij!) rrëfen se Pejgamberi, alejhi selam, ka thënë: “Kini dronë nga mallkimi i njeriut të shtypur, sepse ai mund ta kërkojë të drejtën e vet te Allahu, e Allahu nuk e mohon të drejtën e një njeriu që është në të drejtë!” [Shënon Bejhakiu]

6. Aus ibën Shurehbili (Allahu qoftë i kënaqur prej tij!) rrëfen se e ka dëgjuar Pejgamberin, alejhi selam, të thotë: “Gjithsecili që ec me një tiran, në këtë rast për t’i dhënë mbështetje a miratim, duke e ditur se ai është tiran, me të vërtetë ai ka dalë nga Islami!” [Shënon Bejhakiu]

7. Ebu Hurra el-Rakashi transmeton nga xhaxhai i tij (Allahu qoftë i kënaqur prej të dyve!) se Pejgamberi, alejhi selam, ka thënë: “Kini dro! Mos shtypni, kini dro! Pasuria e një njeriu nuk është e ligjshme për ju, vetëm nëse ju jepet me pëlqimin e vullnetin e tij!” [Shënon Bejhakiu]

Shkëputur nga libri Kodi Social dhe Moral në Islam
Autor: Muhamed el-Kudri
Përktheu nga anglishtja: Arsim Jonuzi