Tite mbetet trajner i Brazilit deri në vitin 2022

Fedrata e Futbollit të Brazilit (FFB) dhe trajneri Tite janë dakorduar për vazhdimin e bashkëpunimit. Tite ka nënshkruar kontratë të re, sipas së cilës kombëtaren braziliane do ta udhëheqë deri në Botërorin 2022, transmeton Anadolu Agency (AA).

Përkundër faktit se Brazili në Botërorin “Rusi 2018” u eliminua në çerekfinale nga Belgjia, shihet qartë se krerët e FFB-së janë të kënaqur me punën e tij.

“Përvoja e periudhës së parë ka vendosur një raport të mirëbesimit në mes nesh, çka do të reflektojë në hapin tonë të dytë të përbashkët. Për mua kjo është një sfidë e madhe dhe jam i lumtur se kam shansin të fokusohem në ndeshjet dhe garat e ardhshme”, ka thënë trajneri 57-vjeçar.

Tite para se të marrë kombëtaren ka drejtuar kryesisht klubet braziliane, ndërsa më vonë ishte në stolin e skuadrave Al Ain dhe Al Wahd të Emirateve të Bashkuara Arabe.

Ai suksesin e tij më të madh e ka arritur me Gremio, Internacional dhe Corinthians. Me tre klubet e sipërpërmendura dy herë u bë kampion i Brazilit dhe nga një herë ka fituar Copa Libertadores dhe Kampionatin Botëror të Klubeve të FIFA-s.