Ballina Lajmet Rajon dhe Botë Tortura si normë në burgjet izraelite!

Tortura si normë në burgjet izraelite!

Sistemi çnjerëzor që prodhon rrëfime nën dhunë

Një raport i fundit i Komitetit Publik Kundër Torturës në Izrael zbulon se abuzimi ndaj të burgosurve palestinezë nuk është thjesht pasojë e veprimeve të izoluara të gardianëve apo hetuesve, por pjesë e një mekanizmi të institucionalizuar.

Mbi tre të katërtat e palestinezëve të marrë në pyetje në rastet e shqyrtuara, kanë pranuar se kanë dhënë rrëfime pas torturës, ndërsa më shumë se 1.680 ankesa të paraqitura gjatë dy dekadave nuk kanë çuar në asnjë padi.

Tortura ndaj të burgosurve palestinezë është kthyer në një praktikë të toleruar dhe në raste të caktuara, të miratuar nga vetë mekanizmat shtetërorë izraelitë.

Ky është përfundimi shqetësues i një raporti të publikuar nga Komiteti Publik Kundër Torturës në Izrael (PCATI), i cili dokumenton mënyrën se si shërbimi i sigurisë së brendshme, Shin Bet, përdor dhunën dhe presionin fizik e psikologjik për të siguruar rrëfime gjatë marrjes në pyetje.

Raporti shqyrton 42 ankesa të palestinezëve për torturë nga hetuesit e Shin Bet gjatë dekadës së fundit. Më shumë se tre të katërtat e tyre deklaruan se kishin pranuar akuza pas torturës ose metodave të tjera të paligjshme të marrjes në pyetje.

Në një rast në dhjetë, të ndaluarit kishin dhënë edhe deklarata inkriminuese ndaj personave të tjerë nën presionin e dhunës.

Sipas drejtoreshës ekzekutive të organizatës, Sari Bashi, sistemi ligjor izraelit e ka shndërruar në praktikë të pranuar përdorimin e torturës për të nxjerrë rrëfime nga palestinezët, pa u shqetësuar nëse ato janë të vërteta apo të rreme.

Metodat e dokumentuara përfshijnë privimin ekstrem nga gjumi, rrahjet, shuplakat, shqelmat, kërcënimet, dhunën seksuale dhe detyrimin për të qëndruar për orë të tëra në pozicione që shkaktojnë dhimbje të forta.

Një nga rastet më domethënëse është ai i një avokati palestinez të arrestuar në shkurt 2019. Gjatë 27 ditëve, ai u mor në pyetje për më shumë se 552 orë, mesatarisht 20 orë në ditë. Një prej seancave zgjati pothuajse 48 orë pa ndërprerje.

Kjo praktikë binte ndesh edhe me një vendim të Gjykatës Supreme të Izraelit të vitit 1999, që ndalonte privimin e qëllimshëm nga gjumi si metodë hetimi.

Megjithatë, avokati u dënua për përfshirje në sulme me armë zjarri, bazuar në informacionin e marrë gjatë kësaj periudhe. Inspektori shtetëror që shqyrton ankesat ndaj Shin Bet e konsideroi marrjen në pyetje në përputhje me procedurat.

Shifrat e raportit tregojnë përmasat e pandëshkueshmërisë. Mes viteve 2001-2024, pranë mekanizmit shtetëror të kontrollit të hetimeve të Shin Bet u paraqitën më shumë se 1.680 ankesa për torturë. Asnjëra nuk përfundoi me ngritjen e një padie.

PCATI paralajmëron se problemi nuk qëndron vetëm te dhuna e hetuesve, por edhe te mënyra se si sistemi ligjor e ka krijuar hapësirën për ta justifikuar atë.

Nën formulimin e ashtuquajtur të marrjes në pyetje për shkak të domosdoshmërisë, hetuesit mund të përdorin masa të jashtëzakonshme pasi konsultohen me eprorët dhe dokumentojnë vendimet e tyre.

Sipas organizatës, një përjashtim që fillimisht paraqitej si i kufizuar është shndërruar gradualisht në një sistem të gjerë përjashtimesh ligjore dhe administrative.

Alarmi bëhet edhe më i madh në kushtet kur Izraeli po përpiqet të rikthejë dënimin me vdekje. Në mars, Knesseti miratoi një ligj që parashikon ekzekutimin e palestinezëve të dënuar për sulme vdekjeprurëse terroriste, pa parashikuar të njëjtin trajtim për izraelitët hebrenj që kryejnë krime të ngjashme.

Në Bregun Perëndimor të pushtuar, ku palestinezët gjykohen nga gjykata ushtarake, dënimi me vdekje është përcaktuar si dënimi i parazgjedhur për kategori të caktuara të këtyre veprave.

Ndërkohë, pas tetorit 2023, organizatat e të drejtave të njeriut kanë dokumentuar përkeqësim të ndjeshëm të kushteve në burgjet izraelite, me rrahje, përdorim qensh, goditje elektrike, kërcënime dhe përdhunime.

Të paktën 103 të burgosur palestinezë kanë vdekur në paraburgimin izraelit që nga 7 tetori 2023. Nga 10 autopsi të shqyrtuara nga organizata Mjekët për të Drejtat e Njeriut në Izrael, pesë evidentuan shenja dhune fizike dhe gjashtë prova të neglizhencës mjekësore. \tesheshi