Tragjedi në Mesdhe! Mbytet anija me emigrantë, humbin jetën 116 persona

Kim Mehmeti

Dhe përderisa Mesdheu shndërrohet në varrezë masive ku prehen ata ndaj të cilëve kjo botë është e pandjeshme – refugjatët e vendeve të varfra dhe shteteve ku fëmijët lindin e rriten duke dëgjuar ninullat e vdekjes – ne të tjerët mbytemi në detin e shkumëzuar të padrejtësive të kësaj bote!

Ndërkohë ja një përgjigje për ata që më pyesin pse merrem me johumanizmin e Evropës ndaj refugjatëve nga Lindja e Mesme dhe Afrika: sepse dua ta mbaj gjallë humanen në vetvete.

Andaj, nëse Mesdheu është bërë varrezë masive e fatkeqve që i ikin vdekjes, nëse fëmijë të pafat lundrojnë nëpër detëra si nëpër hapësirë ujore pa brigje – duke pasur të drejtë të dalin në breg vetëm të vdekur – atëherë nuk kam si mos e them se për këtë mban përgjegjësi edhe Evropa që lëvdohet me të arrirat ekonomike e demokratike, por ku siç duket, nga dita në ditë, zhbëhen vlerat njerëzore!

Më në fund, i takoj popullit që e dinë sa e dhembshme është kur të dashurit tu nuk arrijnë në ‘bregun e shpresës’ përtej, por mbeten përjetë në fund të detit!

Pra i takoj popullit, i cili më shumë se cilido tjetër popull e ka vuajtur dhembjen e refugjatit si dhe atë të hedhjes së luleve dhe derdhjen e lotëve mbi varrin e quajtur det!

Shkurt e shqip, unë merrem me ‘bregun’ tim dhe e them hapur: ndjehem i mjer kur shoh se në atë ‘breg’, nuk ka kush ia zgjatë dorën e shpëtimit as pafajësisë fëmijërore që mbytet në det, edhe atë vetëm pse ai vjen nga ‘bregu’ ku jetojnë ata me fe dhe me përkatësi tjetër etnike!

Nga Kim Mehmeti