Ballina Lajmet Rajon dhe Botë Trashëgimia toksike e gjenocidit në Gaza

Trashëgimia toksike e gjenocidit në Gaza

Pa energji nga Izraeli, mijëra palestinezë drejt plastikës për gatim dhe ngrohje

Në një analizë tronditëse të publikuar nga portali Electronic Intifada, inxhinieri palestinez Islam Elhabil, specialist i mikroplastikës, përshkruan në detaje shndërrimin e Gazës në një vatër ndotjeje vdekjeprurëse. Përpara tetorit 2023, Gaza kishte një sistem informal por efikas të menaxhimit të mbetjeve, ku mbledhësit lëviznin nëpër lagje për të grumbulluar plastikën.

Inxhinieri shpjegon se ky aktivitet nuk shërbente vetëm si burim të ardhurash, por ishte një pjesë integrale e mbrojtjes së mjedisit dhe shëndetit publik në kushte bllokade. Sot, ky sistem ka pësuar një kolaps total. Pas ndërprerjes së furnizimit me karburant dhe energji nga Izraeli, Elhabil vëren se mijëra palestinezë janë detyruar t’i drejtohen plastikës si alternativë emergjente për gatim dhe ngrohje.

Ai përshkruan me shqetësim se si familjet e zhvendosura përdorin furra të improvizuara ku plastika nxehet në temperatura deri në 600 gradë Celsius. Sipas tij, procesi i pirolizës plastike prodhon një lëng të ngjashëm me naftën, por me kosto shëndetësore katastrofike.

Inxhinieri paralajmëron se kjo praktikë ”paraqet rreziqe të konsiderueshme shëndetësore, veçanërisht për gratë dhe fëmijët”, pasi emetimet toksike brenda tendave i kthejnë ato në burime të përqendruara të ndotjes së ajrit.

Përveç tymit të dukshëm, Elhabil e vë theksin te “vorbulla mikroplastike”, që po krijohet nga bombardimet masive. Shkatërrimi i infrastrukturës gjeneron sasi të mëdha materialesh plastike që, nën efektin e nxehtësisë dhe dëmtimeve mekanike, shpërbëhen në grimca mikroskopike.

Ai shpjegon se këto grimca ruajnë ”gjurmët kimike të polimereve origjinale”, duke helmuar tokën, burimet ujore dhe zinxhirin ushqimor. Inxhinieri thekson gjithashtu se fëmijët janë grupi më i prekshëm, pasi trupat e tyre në zhvillim u nënshtrohen këtyre ndotësve në një kohë kur trajtimi mjekësor është pothuajse i pamundur.

Në mbyllje të analizës së tij, Islam Elhabil bën një thirrje urgjente për ndërhyrje kimike dhe mjedisore gjatë fazës së rindërtimit. Ai argumenton se diskutimi për të ardhmen e Gazës pa trajtuar ndotjen plastike, neglizhon një dimension kritik të shëndetit publik.

Sipas inxhinierit palestinez, pa një rehabilitim të strukturuar të tokës, ”përpjekjet e rindërtimit rrezikojnë të rivendosin komunitetet në tokën e ndotur nga helmet”, duke e bërë trashëgiminë toksike të luftës një kërcënim të përhershëm për brezat që do të vijnë. /tesheshi