Ballina Lajmet Rajon dhe Botë Trump dënon, por nuk do të kërkojë falje për videon raciste të...

Trump dënon, por nuk do të kërkojë falje për videon raciste të publikuar në llogarinë e tij

Presidenti amerikan, Donald Trump, e ka dënuar, por ka refuzuar të kërkojë falje për një video raciste, tashmë të fshirë, që paraqiste ish-presidentin Barack Obama dhe zonjën e parë Michelle Obama si majmunë, transmeton Anadolu.

Klipi i shkurtër ishte përfshirë në fund të një videoje të postuar në llogarinë e tij në Truth Social, e cila përsëriste pretendimet e pabazuara të presidentit për mashtrim zgjedhor.

Në të, fytyrat e buzëqeshura të ish-presidentit dhe zonjës së parë vendosen mbi trupat e majmunëve, duke përjetësuar disa stereotipe të përdorura kundër njerëzve me ngjyrë, ndërsa në sfond luan kënga “The Lion Sleeps Tonight”, e bërë e famshme nga filmi i Disney-t The Lion King.

Postimi që tallte presidentin e parë me ngjyrë të SHBA-së u bë gjatë Muajit të Historisë së Njerëzve me Ngjyrë, një periudhë e dedikuar për nderimin e arritjeve, kontributeve dhe historisë së amerikanëve me ngjyrë.

“Sigurisht që po”, tha Trump kur u pyet nga një gazetar në Air Force One nëse e dënon pjesën raciste të videos.

Por kur u pyet nëse do të kërkojë falje, Trump mbeti sfidues, duke fajësuar postimin te një anëtar i stafit për të cilin tha se e kishte publikuar videon në emrin e tij pa parë pjesën që përfshinte paraqitjet raciste të Obamave, duke këmbëngulur se ai “nuk bëri gabim”.

“Unë pashë pjesën e parë dhe ajo kishte të bënte vërtet me mashtrimin zgjedhor në makineri, sa e shtrembër është, sa e neveritshme është. Pastaj ia dhashë njerëzve, zakonisht ata e shohin gjithë videon. Por mesa duket dikush nuk e bëri, e postuan dhe ne e hoqëm”, tha ai.

“Sigurisht, ishte një postim shumë i fortë sa i përket mashtrimit zgjedhor. Askush nuk e dinte që ajo pjesë ishte në fund. Po ta kishin parë, do ta kishin vënë re dhe me siguri do ta kishin hequr”, shtoi ai.

Videoja u përball me reagime të menjëhershme kritike nga i gjithë spektri politik.

“Lutem të ketë qenë e rreme, sepse është gjëja më raciste që kam parë nga kjo Shtëpi e Bardhë. Presidenti duhet ta heqë”, shkroi senatori Tim Scott, i vetmi republikan me ngjyrë në Senat, në platformën amerikane të rrjeteve sociale X.

Trump tha se foli me Scott dhe i shpjegoi çfarë kishte ndodhur dhe se “ai e kuptoi 100 për qind”.

Senatori Roger Wicker, një republikan nga Mississippi, shteti me përqindjen më të madhe të votuesve me ngjyrë, e quajti postimin “krejtësisht të papranueshëm” dhe i kërkoi Trumpit “ta heq dhe të kërkojë falje”.

“Presidenti Obama dhe Michelle Obama janë amerikanë të shkëlqyer, të dhembshur dhe patriotë. Ata përfaqësojnë më të mirën e këtij vendi. Donald Trump është një fundërrinë e neveritshme, e paqëndrueshme dhe malinje”, tha përfaqësuesi Hakeem Jeffries, anëtari me rangun më të lartë me ngjyrë në historinë e Dhomës së Përfaqësuesve.

“Pse udhëheqësit e GOP-së si John Thune vazhdojnë të qëndrojnë përkrah këtij individi të sëmurë? Çdo republikan duhet të denoncojë menjëherë fanatizmin e neveritshëm të Donald Trumpit”, shtoi ai.