Trump dhe Kongresi pajtohen për rihapjen e qeverisë për tre javë

Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA) Donald Trump dhe krerët e Kongresit, kanë rënë ranë dakord që të zhbllokojnë qeverinë për një periudhë të ardhshme trejavore pa i siguruar presidentit 5.7 miliardë dollarët të cilët po i kërkon për murin në kufirin me Meksikën, raporton Anadolu Agency (AA).

Trump njoftoi për marrëveshjen në një deklaratë në Shtëpinë e Bardhë, ku tha se bëhet fjalë për një përpjekje e cila mundëson negociata për financimet që ai i kërkon, të cilat demokratët vazhdojnë t’i kundërshtojnë.

Ai miratoi të premten një projektligj shpenzimesh, i cili i hapë rrugën Kongresit të miratojë legjislacionin i cili do të rihapë qeverinë, pas një mbylljeje që është më e gjata në historinë e vendit.

Trump tha se ka në duar një alternativë shumë të fuqishme, të cilën megjithatë nuk e ka përdorur, për të shtuar se mundësia vlen ende nëse Kongresi nuk arrin marrëveshje brenda periudhës trejavore të financimit, pas çka qeveria ose do të mbyllet ose do të përdorë fuqitë emergjente për të ndërtuar murin.

Projekt ligji në fjalë parasheh formimin e një komision dypartiak i cili do të vlerësojë sigurinë e kufirit, por ajo që spikat është se Trump nuk po këmbëngulë në ndërtimin e një muri prej betoni përgjatë kufirit SHBA-Meksikë, duke dhënë edhe mundësi tjera.

“Vërtetë nuk kemi zgjidhje tjetër përveç se të ndërtojmë një mur të fuqishëm apo pengesë prej çeliku”, tha Trump, për të shtuar se në tre javët e ardhshme pret që republikanët dhe demokratët të gjenjnë zgjidhje në të mirën e popullit.

Zhbllokimi i qeverisë u bë në ditën e 35-të të mbylljes, ku për pasojë rreth 800 mijë punonjës federalë do të humbasin edhe pagën e tyre të dytë mujore.

Para arritjes së marrëveshjes u raportuan vonesa të fluturimeve në aeroportin LaGuardia të New Yorkut nga shkaku i mungesës së personelit ndërsa vonesa janë raportuar edhe në aeroportin Newark Liberty në New Jersey.