Ballina Lajmet Kosovë “Trump dhe Putin nuk kanë diskutuar për shkëmbimin e territoreve mes Kosovës...

“Trump dhe Putin nuk kanë diskutuar për shkëmbimin e territoreve mes Kosovës dhe Serbisë”

Ministria e Jashtme ruse ka demantuar raportimet e mediave se në takimin e Helsinkit mes presidentit të SHBA-ve, Donald Trump, dhe atij të Rusisë, Vladimir Putin në tavolinë janë hedhur propozime për shkëmbimin e territoreve mes Kosovës dhe Serbisë dhe njohjen e pavarësisë nga Beogradi.

Agjencia ruse e lajmeve, “Sputnik”, duke cituar sot një komunikatë të lëshuar nga ministria e Punëve të Jashtme e Rusisë, shkruan se Trump dhe Putin nuk kanë diskutuar për shkëmbimin e territoreve mes Kosovës dhe Serbisë, dhe se lajme të tilla janë të pavërteta, transmeton lajmi.net.

“Ne deklarojmë me plot përgjegjësi se kjo është një dezinformatë, gjithashtu supozimet e mediave të cilat janë shfaqur kohëve të fundit për “marrëveshjet e veçanta”, të cilat janë arritur në Helsinki, nuk janë të vërteta”, citohet të jetë thënë në njoftimin e ministrisë së Jashtme Ruse.

Kujtojmë se takimi i parë i “formatit të plotë”, mes Trump dhe Putin u mbajt më 16 korrik në Helsinki.

Para dhe pas takimit, mediat serbe vazhdimisht kanë raportuar se temë diskutimi ishte edhe çështja e Kosovës dhe marrëveshja e mundshme mes dy vendeve