Presidenti amerikan Donald Trump ka kërcënuar me veprime ushtarake ndaj Kolumbisë dhe ka paralajmëruar Meksikën që, sipas tij, “të vërë gjërat në rregull”. Ai gjithashtu ka përsëritur kërcënimin për dërgimin e ushtrisë amerikane në Venezuelë, nëse vendi “nuk sillet siç duhet”.
Deklaratat e Trump vijnë një ditë pasi forcat amerikane kapën dhe arrestuan presidentin venezuelian Nicolas Maduro në Karakas, gjatë një operacioni të papritur. Maduro dhe bashkëshortja e tij pritet të paraqiten para gjykatës në Nju Jork për akuza që lidhen me trafikun e drogës.
Duke folur me gazetarët në bordin e Air Force One, Trump tha se Shtetet e Bashkuara janë “në kontroll” të Venezuelës, pavarësisht se Gjykata Supreme e këtij vendi ka emëruar zëvendëspresidentin si udhëheqës të përkohshëm.
Trump sugjeroi gjithashtu se Kolumbia mund të përballet me veprime ushtarake nëse nuk ndalon rrjedhën e drogës ilegale drejt Shteteve të Bashkuara. Ndërkohë, presidenti i Kolumbisë, Gustavo Petro, i ka cilësuar akuzat e Trump si “shpifje”.
Al Jazeera raporton se situata po ndiqet nga afër nga Uashingtoni, ndërsa tensionet në rajon vazhdojnë të rriten. /mesazhi





