Presidenti i SHBA-së, Donald Trump ka deklaruar se një “armatë masive” është nisur drejt Iranit si dhe ka shprehur shpresë se Teherani do të “ulet në tavolinë” dhe do të negociojë me Washingtonin, transmeton Anadolu.
“Një armatë masive është nisur drejt Iranit. Ajo po lëviz shumë shpejtë, me fuqi të madhe, entuziazëm dhe qëllim”, shkroi Trump në platformën e tij sociale “Truth Social”.
Ai theksoi se flota është më e madhe se ajo që ishte dërguar në Venezuelë dhe është e gatshme “të përmbushë misionin e saj me shpejtësi dhe dhunë nëse është e nevojshme”.
“Shpresojmë që Irani shpejt të ulet në tavolinë dhe të negociojë një marrëveshje të drejtë dhe të barabartë, pa armë bërthamore, një (marrëveshje) që është e mirë për të gjitha palët. Koha po mbaron, kjo me të vërtetë është thelbësore”, tha ai.
“Siç i thashë Iranit edhe një herë më parë, bëni një marrëveshje. Ata nuk e bënë dhe ishte ‘Operacioni Çekani i Mesnatës’, një shkatërrim i madh i Iranit. Sulmi i radhës do të jetë shumë më i keq. Mos e bëni të ndodhë përsëri”, shtoi Trump.
Dhjetëra mijëra persona u mblodhën në qytetet iraniane për shkak të pakënaqësive ekonomike, gjë që e nxiti Trumpin të paralajmërojë për ndërhyrje të SHBA-së nëse qeveria iraniane do të vazhdon të përdorë forcë vdekjeprurëse kundër protestuesve “paqësorë”, megjithëse më vonë ai e zbuti retorikën pasi pretendoi se vrasjet e protestuesve kishin ndaluar dhe Teherani kishte anuluar planet për ekzekutime masive.
Zyrtarët iranianë kanë paralajmëruar se një sulm amerikan do të provokonte përgjigje “të shpejtë dhe gjithëpërfshirëse”. Më vonë, Trump duke folur në shtetin amerikan Iowa tha se një “armatë tjetër e bukur” po niset drejt Iranit tani.
“Pra, do të shohim. Shpresoj që ata të bëjnë një marrëveshje. Duhej ta kishin bërë marrëveshjen herën e parë. Do të kishin një vend”, u tha ai mbështetësve.
Irani vazhdimisht ka deklaruar se nuk do të angazhohet në bisedime nën presion, ndërkohë zyrtarët amerikanë kanë sinjalizuar hapje të kushtëzuar ndaj diplomacisë, duke e lënë të pasigurt perspektivën e negociatave në afat të afërt.





