Presidenti amerikan Donald Trump po përballet me presion në rritje nga dy kampe të ndryshme, ndërsa shqyrton mundësinë e një ndërhyrjeje ushtarake ndaj Iranit, në mes të spekulimeve për zhvendosjen e disa bombarduesve të fshehtë B-2 jashtë vendit.
Sipas politologut Mehran Kamrava nga Universiteti Georgetown në Katar, Trump ende nuk ka marrë një vendim përfundimtar. “Ai është nën presion të madh nga baza e tij që të mos sulmojë, por gjithashtu edhe nga e djathta republikane që të ndërmarrë sulm,” tha Kamrava për Al Jazeera. “Mendoj se po dëgjon shumë me kujdes këshilltarët e tij ushtarakë.”
Kamrava thekson se paralajmërimi i Iranit se në rast të një sulmi nga SHBA, “të gjitha opsionet do të jenë në tryezë”, është një faktor që mund të ndikojë ndjeshëm në vendimin e Trump, sidomos për shkak të pranisë së shumtë të bazave ushtarake amerikane në rajon.
Megjithatë, ai vlerëson se një kundërpërgjigje iraniane drejtpërdrejt ndaj bazave amerikane është e pamundur. “Edhe pse retorika e luftës është ekstreme dhe e mbushur me hiperbolë, realisht nuk besoj se Irani do të sulmonte bazat amerikane. Kjo do t’i bashkonte të gjithë pas Trumpit dhe do t’i kushtonte shumë Iranit,” tha ai.
Sipas Kamrava-s, konflikti mes Izraelit dhe Iranit nuk ka një fitues apo humbës të qartë deri tani. “Humbësit e vërtetë janë civilët iranianë dhe izraelitë, jo domosdoshmërisht ushtritë. Mendoj se ata mund të luftojnë njëri-tjetrin pothuajse pafundësisht,” u shpreh ai. “Por kjo sigurisht nuk është fitorja e shpejtë dhe vendimtare që e kishin parashikuar komandantët izraelitë.” /mesazhi







